Nga Shkodra në Sarandë, ja emërimet e reja të vendosura nga KLP

640-0-614317208221d.jpg

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ditën e sotme ka caktuar në detyrë 2 drejtuesit e Prokurorive në Korçë dhe Mat.

Pas verifikimeve të kryera nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, mbi plotësimin e kritereve dhe procedurave të ngritjes në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë  caktoi Dhorina Theodhori në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, dhe Abaz Muça në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.

Me këto dy emërime, shkon në 7 numrin e drejtuesve të emëruar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një periudhë 3-vjeçare.

Gjithashtu Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëri me dije se gjatë kësaj mbledhje janë marrë edhe disa vendime transferimesh, siç është rasti i prokurorit Elion Mustafaj, i cili është transferuar nga Vlora në Lushnjë.

Njoftimi i plotë:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 16.09.2021, mbledhjen plenare të radhës. Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Pas verifikimeve të kryera nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, mbi plotësimin e kritereve dhe procedurave të ngritjes në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi në mënyrë unanime të caktojë znj. Dhorina Theodhori në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, dhe z. Abaz Muça në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat. Ata do të ushtrojnë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë për një periudhë trevjeçare, duke filluar nga data 16.09.2021.

Ndërkohë, në mbledhjen plenare të datës 09.06.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur tetë vende vakante, të cilat do të plotësohen nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele. Pas verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore të kandidimit (nga ana e kandidatëve) dhe pasi u njoh me relacionet shpjeguese të përgatitura nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi  miratimin e renditjes së kandidatëve për pozicionin vakant nr. 1 dhe nr. 2 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, përkatësisht z. Elidon Hysenaj dhe z. Adnan Hoxha;

Gjithashtu, Këshilli vendosi miratimin e renditjes së kandidatëve për një pozicionin vakant në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, me renditjen si vijon:

Ajola Prençi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin;

Elidon Hysenaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë;

Urim Buci, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër;

Ledion Tema, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

Njëkohësisht, Këshilli vendosi transferimin e përkohshëm me pëlqimin e tij të z. Elion Mustafaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, për një periudhë njëvjeçare. Gjithashtu, Këshilli vendosi në mënyre unanime caktimin e përkohshëm të z. Elion Mustafaj në pozicionin e Drejtuesit Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, nga data 24.09.2021 – 23.12.2021.

Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi për caktime të përkohshme në pozicionin e drejtuesit të prokurorisë, përkatësisht të z. Rifat Kojku në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe të znj. Pranvera Gruda në pozicionin e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e Raportit të përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale,për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit kalimtar, të prokurores Mirela Kapo, prokurore pranë Gjykatës së Shkallës së parë Krujë, e komanduar me Vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (nr. 77 datë 04.03.2020) në pozicionin e ndihmësmagjistratit, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për një periudhë pesëvjeçare. Si zakonisht, një kopje e këtij Raporti i dërgohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në vijim, Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorin Lorenc Mërkuri, kandidat për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë. Shkak për ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës është bërë vonesa në dorëzimin brenda afatit, pranë institucionit përgjegjës, të deklaratës së konfliktit të interesave dhe kontrollit të pasurisë. Në kushte të mosveprimit, ai ka vlerësuar të mos e vazhdojë më tej procedurën e verifikimit nga ana e Këshillit. Edhe kërkesat e ligjit janë të tilla, që nuk e lejojnë vazhdimin e procedurës në këtë rast.

Gjithashtu, Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatit Artur Prenga dhe ndalimin e kandidatit për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022.

Në  datën 16.09.2019, me vendimin Nr.163, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar z. Tartar Bazaj, anëtar të Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve, me një mandat dyvjeçar, duke u mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.564, datë 31.07.2019 “Për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij”.

Në përfundim të mandatit 2-vjeçar lind nevoja e përzgjedhjes së një anëtari të ri, i cili do të jetë dhe Kryetar i këtij Komisioni. Sipas pikës 7/a të këtij Vendimi, pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të funksionojë Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve. Këshilli vendosi me shumicë votash që anëtar të Komisionit të Mbrojtjes së Prokurorëve të jetë z. Moisi Duda.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i është drejtuar  Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me shkresën nr.1865/1.Prot. Datë 15.07.2021, duke i kërkuar Drejtuesit të SPAK-ut që të propozojë një prokuror pranë kësaj prokurorie, për t’u caktuar si anëtar Bordi pranë Qendrës së Teknologjisë së Informacionit. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme propozoi si anëtar z. Sotir Kllapi, prokuror në SPAK. Këshilli vendosi unanimisht caktimin e z. Sotir Kllapi në Bordin Drejtues të Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë.

Në vijim të përmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me qëllim funksionimin e Komisionit për Vlerësimin e Programit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, kërkohet që, në zbatim të ligjit, të caktojë anëtarin e Komisionit nga radhët e prokurorëve. Komisioni kryesohet nga zëvendësministri në ministrinë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe në përbërje të tij ka një gjyqtar të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në detyrën e zëvendëskryetarit, dhe një prokuror të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në detyrën e anëtarit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me propozim të Komisioni i Zhvillimit te Karrierës, vendosi caktimin e z./znj. …, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, në pozicionin e Anëtarit të “Komisionit për Vlerësimin e Programit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë” dhe caktimin e z/znj…, prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në pozicionin e Anëtarit Zëvendësues. Periudha e caktimit do të jetë 3 (tre) vjet dhe fillon nga data 16.09.2021.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303