Nis gjyqi i “El Chapo” në SHBA

download-7.jpg

Gjyqi i lordit të drogës së Meksikës, Joaquin “El Chapo” Guzman, ka filluar ditën e sotme në gjykatën federale në Bruklin, ku ai po përballet me akuzat për trafik droge dhe konspiracion. Prokurorët, avokatët mbrojtës dhe gjykatësi i qarkut, Brian Cogan, do të zgjedhin juristët për atë që pritet të jetë një gjyq katër mujor. Për shkak të nivelit të vëmendjes për rastin dhe famën e të pandehurit, juria do të mbahet anonime.

Guzman, 61 vjeç, ka udhëhequr kartelin Sinaloa, i quajtur sipas bazës së tij në shtetin meksikan Sinaloa. Autoritetet e Shteteve të Bashkuara e kanë përshkruar grupin si një nga organizatat më të fuqishme të trafikimit të drogës në botë.

Guzman u ekstradua nga Meksika në Shtetet e Bashkuara më 19 janar 2017, pasi u arratis dy herë nga burgjet meksikane.

Prokurorët e Shteteve të Bashkuara thonë se si kreu i Kartelit Sinaloa që nga viti 2003, Guzman ka udhëhequr dërgesën e tonelatave drogë, duke përfshirë heroinë, kokainë, marihuanë dhe metamfetaminë, përtej kufijve dhe në Shtetet e Bashkuara. Nëse dënohet, Guzman pritet të përballet me burgim të përjetshëm.

Sipas dosjeve të gjykatës, dëshmitarët e prokurorisë do të përfshijnë ish-anëtarët e Kartelit Sinaloa dhe të tjerë të përfshirë në tregtinë e drogës të cilët tani po bashkëpunojnë me qeverinë e SHBA.

Përveç akuzave për trafik droge, prokurorët priten gjithashtu të paraqesin dëshmi se Guzman ka qenë i përfshirë në komplote të shumëfishta të vrasjeve, duke përfshirë luftërat me kartele rivale.

Avokatët e Guzman-it deri më tani kanë dhënë pak shenja rreth mbrojtjes së tyre të planifikuar. Eduardo Balarezo, një nga avokatët, tha në një gjykatë se ai do të përpiqet të provojë se Guzman ishte thjesht një “toger”, duke vepruar nën drejtimin e të tjerëve.

scroll to top