Nis takimi Trump-Erdogan në Shtëpinë e Bardhë, Trump vlerëson Erdogan

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nisur takimin me homologun etij turk, Rexhep Tajip Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë.

Trump ka përshëndetur marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me presidentin turk.

“Ne kemi qenë miq për një kohë të gjatë, pothuajse nga dita e parë. Ne kuptojmë shtetet e njërit-tjetrit. Ne e kuptojmë se prej nga kemi ardhur”, i ka thënë Trump Erdoganit, teksa janë ulur në Zyrën Ovale.

“Ata janë shumë të respektuar në shtet dhe rajon”, ka thënë Trump për Erdoganin dhe gruan e tij, Emine.

Mirëpritja e ngrohtë e Trumpit për presidentin turk, vjen në kohën e rritjes së zemërimit në Kongresin amerikan për ofensivën e nisur nga Ankaraja më 9 tetor në Siri, me qëllim të largimit të milicisë kurde nga kufiri Turqi-Siri.

Milicia kurde ka qenë partneri kryesor i Uashingtonit në luftimin e grupit militant, Shteti Islamik.

Trump pritet të diskutojë me Erdogan për blerjen e sistemeve ruse për mbrojtje S-400 nga ana e Ankarasë.

Përveç kësaj, Trump ka thënë se të dyja palët do të bisedojnë rreth një marrëveshjeje tregtare në vlerë të 100 miliardë dollarëve.