‘Një 75 vjeçar po operohet, 6 të shoqëruar në polici’, Tabaku përlotet te Bregu i Lumit

 Pas përplasjes me policinë ka nisur shembja e banesave te Bregu i Lumit. Në një prononcim për mediat, ish deputetja e PD Jorida Tabaku u shpreh se një 75 vjeçar është duke u operuar te Trauma, 6 persona janë shoqëruar në polici, ndërsa një grua ka thyer këmbën.

“Një 75 vjeçar është duke u operuar, 6 të tjerë jënë shoqëruar në polici, një grua ka thyer këmbën. Është e paprecedentë ajo që po ndodh në këtë zonë. Unë jam pa fjalë. Dje zonjat që mbronin shtëpitë e tyre sot janë dhunuar, fëmijët janë zgjuar me zhurmat e këtyre makinave. Këta banorë duan të dëmshpërblehen për pronat e tyre. Nuk kemi asnjë informcion se ç’po ndodh me banorët e ngujuar.  I bëj thirrje avokatit të popullit të vijë dhe të shikojë ç’po ndodh këtu.  I bëj thirrje prokurorisë të vijë dhe të hetojë, i bëj thirrje të gjithë ambasadorëve të vijnë dhe të shohin si po cënohet prona. Këto njerëz nuk po kërkojnë diçka që nuk është e tyre, kanë 5 muaj që po luftojnë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të ngrihen. Sot fëmijët e mi, fëmijët e politikanëve janë ngrohtë nëpër shkolla dhe çerdhe ndërsa sot këta fëmijë këtu janë duke u dridhur. Shteti ka rënë”, tha Tabaku, e përlotur dhe me zërin që i dridhej.

“Ju e patë dje që banorët nuk kishin asnjë informacion se do vinte policia dhe do fillonte prishjet. Kjo që ka ndodhur këtu nuk besoj që ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Shqipërisë apo të botës së tretë”, shtoi më tej ish deputetja.

Kujtojmë se janë rreth 38 banesa të cilat kanë qenë në proces legalizimi, mirëpo pas projektit për bulevardin ato u skualifikuan dhe kështu nuk përfitojnë shpronësim. Ndërkaq, bashkia ka ofruar për ta banesa sociale, por banorët nuk janë dakord.