Dhimbje në përjetësi, historia e familjes Mera

familja-varferi.jpg

Kur dhimbja zgjat prej muajsh, vitesh apo dekadash, s’mund ta quash ndryshe përveçse agoni.

Ashtu siç sugjeron fjala është dhe historia e familjes Mera në një fshat të Burrelit. Në Urxallën e largët të paktë janë njerëzit kurse vuajtjet shumëfishe.

Bilal Mera vuan nga një sëmundje paralize prej vitesh, dëgjimin e ka të dobët ndërsa shpresa e tij është shuar plotësisht. Ai është kryefamiljar, por sëmundja po e gërryen.

Rrallë e zë gjumi, pasi dhimbjet janë kthyer në një “alarm” që e zgjon nga qetësia. 56 vjeçari e ka të vështirë të lëvizë e kur flet përmend shpirtin, të vetmen gjë që i ka mbetur.

Bilal Mera:Më keq nuk ka… po është kështu le të më marrin shpirtin,… por ska ça bëj. Pensioni si invalid nuk më del. Ca të bëj me 100 mijë lekë. Ushqimi, herë kam e herë nuk kam. Shumë ftohtë, me të dal shpirti është. As dru nuk kemi, hiçkurrgjo. Me gjet shpi tjetër nuk ka mundësi… këtu nuk ke jetë!

Shtëpia ku jeton familja e Bilalit është vështirë ta quash banesë. Tavani është i copëtuar dhe çfarë bie jashtë, hyn dhe brenda çatisë.

Por pjesa më tragjike e kësaj familje është trashëgimia e sëmundjes së Bilalit. Dy nga tre fëmijët e tij kanë të njëjtën sëmundje.

Gjithë çka mbetet në shtëpi është forca e një gruaje, nëna e djemve dhe bashkëshortja e Bilalit.

Lume Mera është ajo që bën gjithçka. Kur ajo flet para emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”, menjëherë lotë i dalin. Ajo që thotë Lumja duket sikur është jashtë realitetit. Flet se ka plot raste kur nuk ka se me çfarë të ushqejë fëmijët.

Lotët e saj nuk gjejnë fund, ndëra rrëfimi i saj sa vjen dhe bëhet më i dhimbshëm. Lumja tregon momentin kur pranë divanit ku fle njëri prej djemve të saj, kish rënë nga çatia një gjarpër. Falenderon Zotin që nuk ndodhi hataja.

Lume Mera: Jemi vetë i pestë. Ka 20 vite dhe jeta më është nxirë. Vuajmë nga e hëngërmja, vuajmë nëpër spitale…

Fëmijët e mi e mbajnë barkun me dorë, nuk kemi çfarë hamë… (qan me dënesë). Për shpinë siç e sheh vetë. Cfarë bie jashtë bie krejt brenda. Gjarpri ka hyrë dy herë në shtëpi. Ka qenë afër çunit, ma ka ruajt Zoti djalin nga gjarpëri.

Sëmuren herë pas here. Një tani, një më vonë. Derë më derë duke lypur shkoj… Burrin ka 10 vjet që e laj e ndërroj si fëmijë. Dy çunat e sëmurë duhen larë.  Do kisha vdek, por ja ku jam siç më sheh…

Vetëm një kërkesë ka kjo grua e cila përjeton agoninë çdo ditë.

Lume Mera: Lek s’kam me i bër vizitën… duhet t’i çoj në Tiranë me i vizitu, por si ti çoj… me gjet vetëm një kasolle të jetë afër spitalit, do t’ja di Zotit për nder. Do të rri pa hëngër e pa pirë, vetëm për një kasolle afër spitaleve… po vuajmë për një paracetamol.

Në studion e emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” Sidrit Bejleri jep një detaj që Lumja nuk ka guxuar ta thotë para kameras. Asaj i ka vdekur tashmë një vajzë për shkak të sëmundjes. Një vajzë vetëm 6 vjeçe.

Sidrit Bejleri: Lumja e ka harru vetveten. Ajo ka tri plagë të hapura, katër madje pasi një vajzë i ka vdekur në moshën 6 vjeçare po nga e njëjta sëmundje që vuan dhe kryetari i familjes.

TË SHOHËSH ME SYTË E TU ÇFARË DO TË THOTË SKAMJE

Elvis Naçi e sheh me sytë e tij se gjarpërinjtë dhe shtegu që të sjell drejt shtëpisë është vetëm fillimi i humbëtirës në të cilën gjendet një gjysëm banesë në të cilën jeton familja Mera.

Elvis Naçi: Pashë një katastrofë. Sado ta shpjegoj më ka emocionuar thellësisht. Aty shikoje një shtëpi të rrethuar me ferra, me gjarpërinj. Nëse do e lija veten, do mbushesha me lotë. Asaj nëne i bie barra për çdo gjë. Fëmija më i vogël luante pranë pemëve dhe shokë kishte vetëm qentë dhe macet…

Kur Lumja përballet me Elvisin, lotët nuk ndalen. Naçi i thotë të flasë sikur të jetë vëllai i saj dhe këto ishin fjalët e një nëne që vuan prej 20 vitesh:

Lume Mera: Çuni i madh nuk dëgjon. Për të lindur kanë lerë normal, por në moshën 1 vjeç a tre vjeç më janë sëmurë. Për atë Zot, nëse nuk bëj dot gjë për fëmijët, unë nuk dua më jetë.

Elvis Naçi: Mos u mërzit se do vijnë ditë të mira. Tani do lëvizim…

MOMENTI KUR LUME MERA SHEH SHTËPINË E RE NË QYTETIN E BURRELIT

“Shqiptarët për Shqiptarët” shkojnë më tutje në një shtëpi në Burrel për ta parë më nga afër. Banesa ndodhet pranë spitalit dhe teksa Lumja ngjit shkallët, lotët e përshkojnë fytyrën e saj.

Menjëherë sapo hyn në shtëpi, lotët kthehen në gëzim për atë që sytë nuk i kishin parë kurrë, një banesë ku ajo mund të jetojë si të gjithë njerëzit. Gëzimi i saj është i pamatë dhe nuk kërkon të shohë shtëpi tjetër. I mjafton ajo që shikon me sy në këtë banesë dhe përveçse falënderimeve, thotë se do ja “bëjë bam” nga lumturia.

Lume Mera: Një mrekulli… nuk e prisja. Kjo është një mrekulli për mua, ju falënderoj shumë.  Unë sjam për këtë dhomë por qeka e mrekullueshme, jam e kënaqur tejet mase, më mirë nuk dua më. Ju bekoftë Zoti juve dhe të gjithë shqiptarëve. Më bëtë një mrekulli dhe unë ju përgëzoj me gjithë shpirt. Më shumë se kaq nuk dua, do bëj bam…

Lumja: Të falënderoj me gjithë shpirt… Zoti të bekoftë.

Elvis Naçi: Nuk ke nevojë të më falënderosh mu fare, nuk e nxora unë prej xhepit. Kjo është nga shqiptarët. Ne jemi shkaku… Zoti para, ne prapa. Ata që e kanë parë emisionin të kan ndihmuar. Kjo shpi është me hipotekë e jotja. Ti dhe fëmijët e tu… kjo shtëpi do ngelë përjetësisht e juaja.

Gjatë emisionit, Elvis Naçi shpjegoi dhe çfarë ndodhi pas kamerave

Naçi: Neve i dhamë 4-5 alternativa… kjo shtëpi ka kushtuar 34 milionë. Pronari u mundua të na bëjë një ulje për bamirësi… por Lumja u dashurua me këtë shtëpi dhe ne nuk mundeshim t’ja kthenim dëshirën. Ishte hera e parë që familja kishte televizor. Ata nuk kishin rrymë elektrike e jo më televizor.

SURPRIZA E GJIMNAZEVE NË TIRANË

Një surprizë e këndshme për familjen Mera erdhi nga Tirana. Të rinj të gjimnazeve të kryeqytetit udhëtuan drejt shtëpisë së re të familjes shqiptare për të sjellë një buzëqeshje të dytë, kësaj here për dy djemtë e sëmurë të familjes.

“Ju jam falënderues të gjithëve”

Këto janë fjalët e pakta që Ergesti arrin të mbledhë. Sytë e tij janë përlotur por në fytyrën e djalit ka një buzëqeshje kur duart i prekin librat e shumtë që kanë sjellë nxënësit e gjimnazeve të Tiranës. Shumë prej vajzave dhe djemve përloten kur shikojnë sëmundjen e dy djemve. Janë në të njëjtë moshë, por në kushte krejtësisht të ndryshme.

Por çfarë thonë vetë dy djemtë, para se atyre t’u bëhet kjo surprizë e bukur?

Jurgeni dhe Ergesti janë përballur me diskriminimin dhe talljen nga shokët e klasës. Të dy shprehen se janë ndier thellësisht të vetmuar. Madje Jurgeni, djali 16 vjeç thotë se ka menduar vetëvrasjen. Ergesti nga ana tjetër për shkak të sëmundjes artikulimin e fjalëve e ka të vështirë, por sërish mendimi i tij është i pjekur. 18 vjeçari shprehet se në Shqipëri nuk ka shoqëri për të sëmurët, pasi shumica i shohin ata si të padëshiruar.

Jurgen: Shokët më thonë dil përjashta… se di pse. Më shajnë, më tallin. Nganjëherë unë nuk duroj dhe zihem… shok nuk kam. Asnjë nuk më do. Nuk e di çtë bëj, veç me vra veten.

Ergesti: Na diskrimojnë… më kanë shkaktuar probleme. Rri mbyllur pjesën më të madhe të kohës brenda. Shpesh herë dal vetëm për të marrë ajër. Nuk përzihem me shoqërinë. Këtu nuk ka shoqëri për ne. Më duket sikur të gjithë na urrejnë.

NJË NDJESË E MADHE PËR FAMILJET QË ENDE VUAJNË

Një mesazh të rëndësishëm ka dhënë dhe Elvis Naçi në studion e “Shqiptarët për Shqiptarët”. I prekur thellësisht nga dhimbjet e paimagjinueshme të nënës që ka mbajtur mbi shpatulla vuajtët, ai i ka kërkuar asaj dhe familjes falje që i lanë deri më sot në atë shtëpi të shkatërruar.

Elvis Naçi: I kërkojmë falje që e kemi lënë deri më sot në atë shtëpi që ishte… sa e sa familje ka që janë kështu… (përlotet) i kërkojmë falje dhe atyre që nuk kemi patur mundësi t’i ndihmojmë deri më tani.

scroll to top