fbpx

Një vend me gjysmën e popullsisë në rrezik urie; Gjithçka për shkak të një lufte të shmangshme

Famine-in-Yemen.jpg

Analizë nga Tim Lister, CNN

Mungesa e ushqimit solli urinë dhe më pas krizën e urisë. Një shtet që po bie dhe një krizë e thellë ekonomike, po shndërrohen në një katastrofë. Një kryengritje u shndërrua në një luftë civile dhe pastaj një konflikt rajonal që përfshiu Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjatë dekadës së fundit, cikli vicioz i Jemenit është bërë një spirale në rënie – një spirale e parashikueshme dhe e parandalueshme.

Tetë milionë njerëz janë në prag të urisë. Zyrtarët e OKB thonë se numri mund të rritet shpejt në më shumë se 12 milionë, rreth gjysmën e popullsisë së Jemenit, nëse luftimet ndalen.

Pothuajse gjysmë milioni fëmijë të Jemenit janë të kequshqyer; shumë prej tyre kanë gjasa të vdesin brenda disa muajve të ardhshëm nëse konflikti vazhdon. Kolera, 13,000 raste të raportuara vetëm në tetor, dhe sëmundje të tjera kërcënojnë vendin. Si arriti në këtë gjendje të mjeruar ky vend i varfër në botën arabe dhe tani një nga më të varfrit në botë? Dhe çfarë mund të bëhet për të zbutur atë që kërcënon të bëhet uria më e keqe kudo në më shumë se një brez?

Jemeni me kaq shumë probleme; pak burime natyrore, mungesë uji, konflikte të pafundme fisnore dhe civile, ndarje fetare dhe qeverisje të keqe. Pranvera Arabe në vitin 2011 solli protesta që u kthyen të dhunshme dhe nxitën luftën e fiseve. I mbijetuari i madh i Jemenit, Presidenti Ali Abdullah Saleh, u plagos rëndë në një sulm me raketa. Al Kaeda e thelloi praninë e saj në disa provinca.

Në planin e një rikthimi, Saleh u bashkua me rebelët Houthit nga veriu, të cilët zbarkuan në kryeqytet në shtator 2014. Duke u frikësuar se Irani do të përdorte Houthin si përfaqësues për ambiciet e saj rajonale, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nisën atë që mund vetëm të përshkruhet si një luftë e madhe kundër Sanaa dhe pjesëve të tjera të Jemenit të kontrolluar nga Houthis.

Operacioni i koalicionit “Stuhia vendimtare” nisi në mars të vitit 2015. Në vend që të mposhtë Houthin, “stuhia” ka shkatërruar infrastrukturën dhe ka vrarë dhjetëra mijëra civilëve.

Në një studim të kohëve të fundit mbi strategjinë e bombardimeve të koalicionit për Institutin e Paqes Botërore, Martha Mundy tha se ky operacion ka “synuar të shkatërrojë prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit” në zonat e kontrolluara nga Houthët. Mundy tha për CNN se lufta ekonomike synonte t’i gjunjëzonte njerëzit, dhe se në thelb kishte moton: “Ne do t’i ushqejmë njerëzit, kur t’i kemi nën kontroll”.

Pasi u dëbuan nga Sanaa, ajo që mbeti nga qeveria jemenase u ngrit në portin jugor të Adenit. Në vitin 2016, banka qendrore u zhvendos atje, dhe ndaloi dhënien e pagave të qindra mijëra punëtorëve qeveritarë. Ata që u goditën nga kjo masë mbetën në varfëri të egër. Inflacioni e përkeqësoi gjendjen e tyre të vështirë.

Një bllokadë e projektuar për të asgjësuar furnizimet e Houthit gjithashtu bllokoi ndihmën humanitare, duke përshpejtuar një rënie ekonomike të lirë që kishte filluar tashmë. Gjithashtu, jo rastësisht, kjo gjendje e bëri shumë të vështirë për mediat që të mbulonin luftën.

Aleatët perëndimorë të Arabisë Saudite kanë ngritur zërin rreth mosdiskriminimit të fushatës së koalicionit, por kanë vazhduar të nënshkruajnë kontrata fitimprurëse të armëve. Bomba që lëshohen nga aeroplanë saudit janë prodhuar në SHBA; aeroplanët furnizohen nga depozitat ajrore amerikane. Wall Street Journal raportoi në shtator se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte i shqetësuar për numrin e lartë të vdekjeve të civilëve në Jemen, sepse kjo do të rrezikonte 2 miliardë dollarë në shitjen e armëve.

Për administratën Trump, kontrolli i Iranit mbetet më i rëndësishëm se sa përfundimi i luftës.

Vetëm një gjë mund të shpëtojë Jemenin; një armëpushim i menjëhershëm i ndjekur nga negociatat e sponsorizuara ndërkombëtarisht dhe lëvizja e lirë e ndihmave.

Hapat e parë drejt armëpushimit janë hedhur: Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Jim Mattis tha javën e kaluar se negociatat për një armëpushim duhet të fillojnë brenda një muaji. Sekretari Pompeo tha se sulmet me raketa Houthi në tokën Saudite duhet të ndalen dhe “sulmet ajrore të koalicionit duhet të pushojnë në të gjitha zonat e populluara në Jemen”.

Britania e Madhe, një furnizues i madh i armëve për sauditët, bëri jehonë mesazhin amerikan.

I dërguari i palodhur i OKB-së në Jemen, Martin Griffiths, organizoi bisedime në Zvicër në shtator, por delegacioni Houthi refuzoi të udhëtojë, duke cituar shqetësimet e sigurisë. Një tjetër raund bisedimesh është planifikuar të mbahet në Suedi më vonë gjatë këtij muaj.

Drejtori i organizatës humanitare ‘Mercy Corps’ në Jemen, Abdikadir Mohamud, thotë se drita e shpresës që ofrohet nga thirrjet e armëpushimit të fundit po fillon të zbehet. “Pse duhet të prisni një muaj për një armëpushim?” pyet ai.

Ironia e egër në të gjithë këtë është se vrasja e gazetarit, Jamal Khashoggi, mund të shtyjë Arabinë Saudite drejt një qasjeje të re në Jemen, ku 10,000 janë vrarë, përveç numrit më të madh që kanë vdekur nga uria.

Marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Administratës Trump dhe princit të kurorës Mohammed bin Salman janë ftohur që nga vrasja e Khashoggit nga agjentët sauditë pranë Princit të Kurorës.

Por për çdo ditë konflikti vazhdon, mijëra prindër të Jemenit shikojnë të pafuqishëm fëmijët e tyre ndërsa treten pak nga pak nga kriza e urisë. Sipas Kombeve të Bashkuara, një person vdes çdo 10 minuta në Jemen.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *