‘Njihni Kosovën’, momenti i debatit kur Meta-Brnabiç

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë Samitit SEECP, që u zhvillua në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës foli qartë dhe prerë duke thënë se pavarësia e Kosovës sot është një realitet dhe vendet si Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina duhet të njohin pavarësinë e saj.

Kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, e cila pohimet e kreut të shtetit shqiptar i cilësoi si “provokim”.  Mediat serbe kanë shkruar gjatë për deklaratën e Metës, por gjithashtu edhe për reagimin e kryeministres së Serbisë.

Në një video të transmetuar nga mediat atje duket qartë replika mes presidentit shqiptar dhe kryeministres serbe pas kërkesës së bërë nga Meta,  i cili shtoi se tashmë ka ardhur koha për të pranuar realitetin se Kosova është një shtet i  pavarur, ka institucionet e veta dhe mëvetësia e saj është e njohur nga shumë vende të botës.

Në fjalën e tij, Presidenti Ilir Meta tha se vetëm një bashkëpunim i ngushtë mes vendeve të gadishullit të  Ballkanit Perëndimor do të mund të krijonte premisa për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Ndryshe nga Meta, kryeministrit Edi Rama refuzoi këtë takim në shenjë solidarizimi me Kosovën, e cila nuk ishte ftuar me të drejta të barabarta me vendet e tjera të rajonit.