Njoftim i rëndësishëm për marrjen e targave të automjeteve

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka bërë me dije se nga dita e sotme do bëhet një ndryshim në marrjen e targave të automjeteve.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, DPSHTRR njofton se aplikimi për targat e provës do të bëhet online.

“Zgjidhet një tjetër shqetësim i shumë subjekteve tregtare. Subjektet nuk do të sorrollaten më për të siguruar për automjetin e tyre një Targë Prove. Nga data 11 shkurt, aplikimi dhe ndjekja e procedurës do të bëhet online me qëllim shmangien e vonesave dhe abuzimit”, thuhet në njoftim.

Më tej, DPSHTRR thekson se do të rinovojë targat e dhëna më parë duke aplikuar kushtet e reja.

Sipas tyre, ky ndryshim do të lehtësojë kontrollin nga Policia Rrugore dhe nga Task Forca e Transportit Rrugor, duke zgjidhur kështu problemin e vjetër të autorizimit të kufizuar vjetor, duke e bërë automatikisht të rinovueshme të drejtën e përdorimit me blerjen e Librit të Lëvizjes./real-news.tv