fbpx

Nuk ka konsensus pas 4 orë mbledhje të Këshillit Politik

Për reformën zgjedhore në Shqipëri ka nisur numërimi mbrapsht. Nesër është afati për të cilin palët janë angazhuar ta përmbyllin atë. Këshilli Politik diskutoi pasditen e sotme për 4 orë me radhë çështjet e mbetura pezull.

Katër orë diskutime të gjatë pasditen e sotme nuk kanë sjellë asgjë të re në tryezën e Këshillit Politik. Opozita nuk ka arritur të marrë konsensusin e mazhorancës për të futur identifikimin biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit.

Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, duke folur pas mbledhjes tha se kjo është vija e kuqe e opozitës që nuk do të lejojë të kalohet.

“Për çështjen e administrimit të zgjedhjeve dhe gjykimit nuk heq dorë nga modeli i 30 qershorit. Vetë mbush kutitë, vetë i numëron dhe vetë shpall rezultat. PS në strategjinë e saj ka vetëm një gjë, vjedhjen dhe marrjen e votave në tavolinë. Kjo është një vizë e kuqe që opozita nuk do të lejojë të kalohet. Pa u arritur dakordësia për propozimin tonë që bllokon mbushjen e kutive përmes identifikimit biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit, të gjitha përpjekjet e tjera nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të maskuar”, tha Bylykbashi.