fbpx

Nuk ka ‘tym të bardhë’/ Detaje nga 7 orë takim i ‘zgjedhore’ me diplomatët e huaj

Pas më shumë se 7 orësh takim ‘kokë më kokë’ nga takimi i ambasadores amerikane Yuri Kim dhe anëtarët e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore nuk ka dalë ‘tym i bardhë’!

Edhe pse të pranishëm në takim, përveç Kim kanë qënë edhe diplomatë të tjerë, si psh: ambasadori i BE-së, Luigi Soreca dhe ambasadori britanik, Duncan Norman, sërish palët nuk janë dakordësuar.

Oerd Bylykbashi, Rudina Hajdari, Damian Gjiknuri dhe Petrit Vasili ‘ndahen’ për çështjen e tekonolgjisë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Ndërsa Hajdari shton si kusht të saj të panegociueshëm edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Takimi i sotëm është zhvilluar me dy raunde. Fillimisht të gjithë përfaqësuesit kanë shkuar në takim me diplomatët për të diskutuar lidhur me arritjen e një të ‘mesmeje të artë’. Për disa minuta nga takimi janë shkëputur përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, të cilët kanë shkuar në selinë e PD-së për t’u konsultuar me kryedemokratin Lulzim Basha. Pasi kanë përfunduar takimin me Bashën, ata janë nisur sërish për tek ‘tryeza e bashkëbisedimit’.

Deri më tani nuk ka detaje se çfarë është diskutuar në takim dhe pse nuk kanë gjetur një konsensus palët, ndërsa ambasadorja Kim ka paralajmëruar një konferencë për mediat.

Ndërkohë Këshilli politik ka ndërprerë punën që në 31 maj dhe puna e tij për të arritur një consensus mes palëve dhe miratimin e një drafti final mund të quhet e dështuar. Më 31 maj, ditë e cila ishte edhe afati i fundit i kësaj reforme, palët nuk u dakordësuan për çështjen e teknologjisë, rolin e  Gjykatës Kushtetuese, administratën zgjedhore dhe qeverinë kujdestare. Ndërkohë gjuha e përbashkët është gjetur për kuotat gjinore, financimin e partive dhe periudha në të cilën do mbahen zgjedhjet. Dosja.al