Nuk mund të kalosh kufirin me 10 mijë euro në xhep

Doni të lëvizni nga Italia drejt Shqipërisë, apo anasjelltas dhe me vete keni një shumë të madhe parash?! Sigurisht që është diçka e sikletshme të lëvizësh me shuma të mëdha në portofol, por një siklet akoma më i madh është nëse të lejojnë apo jo t’i kalosh në doganë.

Ligji italian nuk përcakton asnjë kufi maksimal për të hollat që mund të kesh me vete, kur del apo hyn në Itali. Kjo gjë vlen qoftë kur lëviz në vendet e Bashkimit Europian, qoftë në vendet jashtë Bashkimit Europian.

Por nëse shuma që keni me vete mund të jetë nga 10 mijë euro e lart, është e detyrueshme të bëni një deklaratë e ta depozitosh pranë zyrave të doganës në çastin kur kalon kufirin. Formulari që duhet të përdorni për këtë qëllim, mund të shkarkohet nga portali i Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve. Në këtë formular shënohen të dhënat personale, dhe nëse paratë nuk janë të deklaruesit, edhe të dhënat e personit për të cilin do të transferohen të hollat. Më pas duhet specifikuar shuma e parave, prejardhja e tyre, marrësi i tyre, nëse është i ndryshëm nga deklaruesi, përdorimi që doni t’iu bëni. Në fund duhet shënuar edhe rruga dhe mjetet e transportit që do të përdorni.

Kush nuk e plotëson këtë formular dhe e kalon kufirin me të paktën 10 mijë euro, rrezikon sanksione të rënda që rriten në bazë të shumës së parave.  Shkelja e normativës mbi transferimin e valutës ndëshkohet me: sekuestrimin administrativ nga 30 % deri në 50 % të shumës, mbi kufirin e lejuar. Aplikimin e një sanksioni administrativ 10 % deri 50 % të shumës mbi kufirin e lejuar. Sanksioni minimal është 300 euro.

Lër një koment