fbpx

“Nuk shoh asnjë ndryshim”, Artan Fuga: Reforma Zgjedhore shprehje e burokracisë

Akademiku Artan Fuga, në një intervistë në “News 24”, duke folur për Reformën Zgjedhore, deklaroi se nuk sheh asnjë ndryshim nga kjo reformë.

Fuga tha se Reforma Zgjedhore është shprehje e burokracisë, kurse shtoi se të dyja palët politike dëshirojnë monopolizim të politikës.

“Termi Reformë Zgjedhore më duket pak problematike, sepse ne jemi gjithmonë në një përmirësim të vazhdueshëm të Kodit Zgjedhor. Prandaj, termi “Reforma Zgjedhore” mbetet i dyshimtë. Nuk kam parë as ekspertë dhe as debat politik. Nuk kam pritur asgjë. Ky kod mendoj se është monopolizim i politikës dhe prandaj është shprehje e burokracive të dy palëve, maxhorancës dhe opozitës. Kodi Elektoral nuk bëhet me nxitim. Shit-blerja e votës në zgjedhje është faktuar tashmë. Palët duan të ruajnë votat nga njëri-tjetri. Nëpunësi publik duhet që të ketë një ligj, që ai të mos ketë ndikim nga partitë politike. Duhet rregulluar gjithçka që të garantohet liria e votës”, tha Fuga.

Artan Fuga u shpreh se nuk shikon asnjë lloj ndryshimi për Reformën Zgjedhore, duke vlerësuar se elektorati dhe të zgjedhurit nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. “Unë mendoj se palët janë dakord në thelb për kwtë që ne duam , pra Kodin Elektoral. Mua më bëhet qejfi që më në fund qytetarët kanë kuptuar se populli dhe deputeti apo përfaqësuesi nuk ka asnjë lidhje. Pushtetari apo deputeti nuk ka lidhje me elektoratin. Më thoni një deputet që shkon tek elektorati i vet dhe të thotë se duhet një ligj për një cështje të caktuar. Nuk ka pra model të tillë, sepse lidhja mes pushtetarëve dhe popullit nuk ekziston. PD e ka vështirë të shkojë në Këshillin Politik, edhe LSI, sepse kanë ikur nga Kuvendi.

Ata me të drejtë thonë se janë tashmë një fasadë. E dyta kanë thënë se me këtë Kod elektoral hapet rruga për burokracitë. Duhen ligje që marrëdhënia mes të zgjedhurve dhe elektoratit të jetë më e fortë. Maxhoranca do të luajë rolin e të fortit që nuk thyhet. Nuk shoh ndryshim në thelb. Votat jepen kundrejt favoreve apo presioneve”, u shpreh Fuga.

Për Fugën, është e nevojshme të kemi një program të tërë për Reformën Zgjedhore. “Kërkohet ekuilibër të të gjithë faktorëve që marrin pjesë në fushatë elektorale. Partive politike nuk mund t’ua heqësh mundësinë që të kenë listat e kandidatëve për deputetë apo kryetarë të bashkive. Duhet thënë se partitë kanë njerëz që ndjekin, elektorat të zgjeruar etj. Elektorati duhet të ketë ndikimin e vet. Duhet krijuar një model që cdo faktor politik të kenë mundësi ta ndikojnë.

Nuk mund të jetë njësoj sikur presidenti zgjidhet nga parlamenti dhe në një vend ku kreu i shtetit zgjidhet nga populli. Me një sistem ku kryeministri ka gjithçka thuajse në dorë, deputetët nuk zgjidhen nga elektorati, por kjo bën që deputetët të jenë të njësuara me kryetarin e partisë. Nëse kemi sistem ndryshe, qoftë edhe me lista të mbyllura, por me diskutime në parti, edhe me një Senat ta kemi etj do kemi të tjera rezultate”, vlerësoi Fuga.

Më tej, Fuga tha se ambasadorët janë shumë të nevojshëm në Shqipëri, por shtoi se nuk duhet pritur që pikërisht të huajt të bëjnë reformën. “Nuk dua të hyj në qëllimet e ambasadorëve, por unë mendoj se aleatët e huaj kanë qenë gjithmonë garant për demokracinë shqiptare. Demokracia shqiptare është shumë e brishtë që të qëndrojë pa ndërkombëtarët. Por gjithsesi, nuk duhet pritur nga ambasadorët që të bëjnë të mundur Reformën Zgjedhore. Palët duhet të zgjidhin vetë cështjet. Klasa politike duhet të mësojë vetë çështjet”, tha ai. BW