Një qytetar nga Gramshi, Dari Tabaku ka dalë mbrëmjen e djeshme para bashkisë dhe ka bërë copë e çikë televizorin e tij duke e goditur me sëpatë. Revolta e tij erdhi si shkak i ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike.
“Na i dogje pajisjet o i mallkuar”, dëgjohet të thotë qytetari.
Banorë të qytetit dhe të fshatrave të Gramshit ankohen se gjatë kësaj periudhe dritat ikin e vijnë disa herë në ditë duke iu djegur elektro-shtëpiaket. Sipas tyre shkak është mbingarkesa në rrjet, jo nga konsumi, por nga mbiprodhimi. Në Gramsh janë ndërtuar dhjetëra HEC-e që lidhen me sistemin por duket se gjatë ditëve me shi ka pasur mbiprodhim dhe thikat bien.
Pasojat po i vuajnë qytetarët, pasi sipas të dhënave, edhe mjaft të tjerë kanë pasur djegie të pajisjeve elektro-shtëpiake.