Obama: Refuzoni liderët që mbjellin urrejtje

Ish-presidenti amerikan Barak Obama i ka kërkuar amerikanëve të refuzojnë gjuhën që përdor cilido lider që ushqen urrejtjen apo normalizon racizmin.

Ai foli pasi 31 persona humbën jetën në dy sulme me armë zjarri në Teksas dhe Ohaio.

Obama është përmbajtur duke mos komentuar retorikat e polemizuara të Trump ndaj emigrantëve, por të hënën, lëshoi një deklaratë.

“Ne duhet të refuzojmë gjuhën që vjen nga goja e një prej liderëve tanë që ushqen një klimë frike apo urrejtje apo normalizon ndjenjat raciste; nga liderë që demonizojnë ata që nuk duken si ne apo që sugjerojnë se njerëz të tjerë, përfshirë emigrantët, kërcënojnë mënyrën tonë të jetesës, apo i referohen të tjerëve si nën-qenie njerëzore, apo aludojnë se Amerika i përket vetëm një lloji njerëzish”, tha ai.

Obama nuk tha shprehimisht asnjë emër, por komentet e tij erdhën pasi presidenti Donald Trump u përpoq të sheshonte kritikat se retorika e tij anti-emigrantë ka nxitur dhunën. Në një fjalim të hënën, Trump dënoi urrejtjen dhe supremacinë e bardhë.

Ndërsa ishte në detyrë, Barak Obama, u përpoq pa sukses për të kufizuar pronësinë e armëve.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump tha se mes emigrantëve meksikanë kishte trafikantë droge, kriminelë dhe përdhunues. Kohët e fundit ai ka shkaktuar zemërim, duke sugjeruar se katër kongresmene me ngjyrë duhet të kthehen dhe të ndihmojnë në përmirësimin e vendeve të rrënuara, të infektuara nga krimi, nga ku kanë ardhur. Ai vetë, mohon që komentet e tij të jenë raciste.