fbpx

OBSH: Duhanpirësit janë më të rrezikuar nga COVID-19

Ekspertët e Shëndetit publik nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë zbuluar së fundmi se, duhanpirësit kanë një rrezik më të lartë të kontraktimit të sëmundjes fatale.

“COVID-19 është një sëmundje infektive që sulmon kryesisht mushkëritë”, tha OBSH-ja në një deklaratë me shkrim.

“Pirja e duhanit dëmton funksionin e mushkërive duke e bërë më të vështirë për trupin të luftojë koronavirusin dhe sëmundjet tjera”, shtoi organizata.

OBSH-ja paralajmëroi studiuesit, shkencëtarët dhe mediat në lidhje me përforcimin e pretendimeve se duhani ose nikotina mund të zvogëlojnë rrezikun e COVID-19.

Deklarata erdhi pas disa studimeve që tregojnë se numri i jo-duhanpirësve ishte më i lartë në mesin e pacientëve me COVID-19 në krahasim me duhanpirësit.

Një studim i shkencëtarëve francezë në portalin shkencor “Qeios” në fund të prillit sugjeroi se pirja e duhanit mund të jetë një faktor mbrojtës kundër koronavirusit.

Studiuesit thanë se vetëm 5 përqind e 482 pacientëve me COVID-19 në spitalin Pitie-Salpetriere në Paris nga 28 shkurti deri më 9 prill ishin duhanpirës.

Një studim i hershëm i publikuar në fund të marsit në “New England Journal of Medicine” tregoi se vetëm 12.6 përqind e rreth 1.099 personave të infektuar me virus ishin duhanpirës ndërsa shkalla e pirjes së duhanit në Kinë është rreth 28 përqind.

Sipas OBSH-së, duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz në nivel global çdo vit.

Më shumë se 7 milionë nga këto vdekje janë nga përdorimi i duhanit të drejtpërdrejt dhe rreth 1.2 milionë janë për shkak të ekspozimit të jo-duhanpirësve ndaj pirjes së duhanit.

Pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19 është përhapur në të gjithë botën. Aktualisht Evropa dhe SHBA janë rajonet më të goditura.

Pandemia ka marrë më shumë se 292 mijë jetë njerëzish në të gjithë botën me mbi 4.26 milionë të infektuar ndërsa mbi 1.49 milionë janë shëruar, tregojnë shifrat e përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins” në SHBA.