fbpx

Xherdan Shaqiri, shqiptari që po mahnit Anglinë

Screenshot_1-92.png

Sezoni 2009-10, java e fundit e kampionatit zviceran, të gjithë i kishin sytë te Seydou Doumbia. Basel-i kryesues vizitonte Young Boys të vendit të dytë, një barazim shpallte kampion Basel-in. Për Young Boys duhej patjetër fitorja, për të festuar titullin e parë pas 24 vitesh”thatësirë”.

Doumbia ishte shënuesi më i mirë i Young Boys dhe kampionatit, me 30 gola, rekord prej 1988, ndaj ishte shpresa e madhe e YB për lavdi.

Në Stade de Suisse Doumbia e nisi ndeshjen si sulmues i djathtë dhe përballë kishte një mbrojtës 18-vjeçar në sezonin e parë mes profesionistëve. Në letër, një duel aspak i barabartë, por Doumbia nuk e pa topin me sy atë mbrëmje.

Valentin Stocker shënoi në minutën e 39-të për Basel-in dhe Scott Chipperfield dyfishoi pas një ore lojë, ndërsa Doumbia luajti një ndeshje të dobët, duke ndryshuar edhe krah e duke shkuar në të majtë të sulmit. 2-0, Basel kampion, edhe kupa një javë më parë, ndërsa emri i lojtarit që fiku njeriun më të rrezikshëm të Young Boys ishte… Xherdan Shaqiri.

Thorsten Fink, trajner i Basel-it në atë kohë, kujton: “Shaqiri luajti kundër lojtarit më të mirë të kampionatit dhe e bëri të mos dukej fare. Xherdani mund të luante në çdo pozicion, edhe si mbrojtës i majtë luante shumë mirë. Mund të luante edhe si numër 10. Në fillim mendova se ishte mbrojtësi i majtë më i mirë që kisha parë, por ai dëshironte të luante në sulm”.

Nuk kaloi shumë dhe Shaqiri e braktisi pozicionin e mbrojtësit të majtë, duke u bërë vendimtar me lojën dhe golat e tij për titullin 2011 dhe titull-kupë në 2012.

Fink shihte një potencial të jashtëzakonshëm te Shaqiri dhe i kërkonte të punonte shumë te aspekti fizik dhe te loja pa top.

“Shaqiri ka nevojë për një trajner që t’i japë besim të pakushtëzuar. Ashtu ai i vendos vetë ndeshjet. Në ndeshjet e mëdha, ai është vendimtar, i adhuron ndeshjet e mëdha. Nëse e motivon, Shaqiri fluturon për ty”.

Bëmat e Shaqirit në sezonin 2011-12 në Champions League e ngjitën në një dimension të ri, me Basel-in që eliminoi Manchester United në grupe dhe mesfushorin shqiptar që ishte vendimtar, duke ndërtuar dy golat e fitores së bujshme 2-1 në Old Trafford në dhjetor 2011.

Në shkurt 2012 erdhi firma për Bayern Munchen, duke u transferuar aty në fund të sezonit. Fillimisht plani ishte që Shaqiri të bënte rezervën e Robben e Ribery, por Heynckes e hodhi rregullisht në fushë, me 8 gola e 13 asiste, në një sezon të çmendur dhe 3 triumfe: Bundesliga, kupa dhe Champions League!

“Henyckes e shihte si një zëvendësues të mirë, i cili luante në çdo pozicion ofensiv dhe kishte shumë energji, ndaj pas minutës së 60-të ishte perfekt. Tifozët e pëlqenin, sepse ai ishte shumë miqësor me ta, gjithnjë i qeshur. Viti i parë ishte më i miri për të në Mynih”, thotë Benedikt Warmbrunn, gazetar i gazetës krahinore Suddeutsche Zeitung.

Problemet e Shaqirit nisën kur Pep Guardiola shkoi në Mynih, në verë 2013. Guardiola kërkon një koordinim perfekt në fushë, por Shaqiri është një “ujk i vetmuar”. Rivaliteti për një vend në formacion ishte i jashtëzakonshëm dhe disa dëmtime i prishën punë, duke bërë që Shaqiri të luante vetëm 10 herë në formacion në kampionat dhe të mos e kuptonte qartë çfarë pritej prej tij.

Në nëtor 2014 Bild shkruante se Guardiola nuk besonte më te Shaqiri, i cili nuk ishte lojtar i përshtatshëm për taktikat e tij dhe komunikimi mes tyre ishte thuajse zero. Një ofertë nga Liverpool në verë ishte refuzuar, por në janar Shaqiri u lejua të shkonte tek Interi.

Pas një sezoni e gjysmë në Itali, Shaqiri shkoi te Stoke City në gusht 2015 dhe aty ringjalli karrierën e tij. Në fakt, kritikat ndaj tij ishin të shumta, duke e fajësuar për rënien e Stoke nga Premier Liga, aq sa vëllezërit Neville e sulmuan ashpër dhe edhe mesfushori i Stoke Charlie Adam pati fjalë të rënda, duke e akuzuar se nuk shqetësohej për fatin e Stoke dhe luante kur kishte qejf.

Në realitet, Shaqiri ishte një ndër lojtarët më efektivë te Stoke, krijoi 43% të 35 golave të ekipit dhe ishte sezoni më i mirë për të, që nga sezoni i fundit në Basel.

Një intervistë e Shaqirit për zviceranen Schweizer Illustrierte tërboi tifozët e Stoke, sepse mesfushori i ankua për “mungesë cilësie” dhe tha se “edhe Ronaldinho do vuante në atë ekip”. Të shumtë ishin ata që e sulmuan, por thellë-thellë tifozë e Stoke e dinin se e vërteta e hidhur ishte thënë troç nga Shaqiri.

Në Liverpool Shaqiri duket se ka gjetur kombinimin e duhur: një skuadër e mbushur me lojtarë klasi, e drejtuar nga një trajner i cili di të jetë shumë i egër, nëse është nevoja. Jurgen Klopp është treguar i ashpër me Shaqirin në disa raste, si në eliminimin nga Kupa e Ligës kundër Chelsea-t, duke i bërtitur në mes të fushës pas ndeshjes, por Shaqiri është përgjigjur shumë mirë. Vetëm Mohamed Salah e ka fituar më shpesh topin në afërsi të zonës kundërshtare sesa Shaqiri, i cili në tetor në Huddersfield vrapoi më shumë se çdo lojtar i Liverpool.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë, më pëlqejnë njerëzit aq të hapur dhe të sinqertë. Është diçka fantastike edhe që flasim në gjermanisht. Klopp ka pasur një impakt aq të madh tek unë, saqë më bën të mendoj: ‘Dua ta fitoj titullin për këtë njeri'”, tha Shaqiri në një intervistë për Blick në nëntor.

Shaqiri ka shënuar 4 gola në 4 ndeshjet e fundit dhe ka hyrë në zemrat dhe historinë e The Reds, me 2 golat e fitores kundër Manchester United pak javë më parë. Liverpool-i është i pari në Premier Ligë, Zvicra është në finalet e Nations League, 2019 mund të jetë viti vendimtar që Shaqiri të tregojë se është një “match-winner” i nivelit më të lartë. Në rastin më të keq, nuk do të kthehet të luajë më si mbrojtës i majtë… (Telesport)

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *