Ofensiva turke në Siri/ Luftime të rënda në ditën e dytë të sulmit

Forcat turke po shtojnë sulmet ajrore dhe tokësore, pasi ndërhyrja ushtarake në zonat e mbajtura nga kurdët në veri të Sirisë hyn në ditën e dytë.

Ushtria e Turqisë tha se i kishte kapur objektivat e përcaktuara. Ka raporte për luftime të rënda në rajonin kufitar qendror.

Deri tani raportohen shtatë civilë të vdekur.

Dhjetëra mijëra njerëz raportohet se po largohen nga shtëpitë e tyre.

Sulmi ndaj forcave të drejtuara nga kurdët, aleatët kryesorë të SHBA-së, pason vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane.

Turqia thotë se dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” në kufi për shumë prej refugjatëve sirianë në territorin e saj.

Por ditën e enjte presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, kërcënoi se do të dërgojë refugjatët në Evropë nëse e karakterizojnë ofensivën turke si një pushtim.

Të mërkurën, Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo mohoi që SHBA i kishin dhënë Turqisë një “dritë jeshile” për ofensivën.

Por presidenti amerikan Trump tha në një konferencë shtypi se turqit dhe kurdët kishin “luftuar njëri-tjetrin me shekuj”, dhe tha se luftëtarët kurdë “nuk na ndihmuan në Luftën e Dytë Botërore”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë për ofensivën të enjten me kërkesën e pesë anëtarëve të tij aktual të BE – Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Belgjikës dhe Polonisë./real-news.tv/