fbpx

OKB miraton marrëveshjen e emigracionit

download-33.jpg

Më shumë se 160 vende miratuan një marrëveshje ndërkombëtare gjithëpërfshirëse mbi emigracionin ditën e sotme, pasi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e mbrojti atë fuqishëm kundër “miteve” dhe gënjeshtrave që kritikët kanë shprehur kundër marrëveshjes.

Duke iu drejtuar një konference dy-ditore në Marok, sekretari i përgjithshëm António Guterres vuri në dukje se dezinformata kishte ndezur debatin mbi marrëveshjen, Kompaktin Global për Emigracionin e Sigurt dhe të Rregullt, dhe kishte inkurajuar një përkeqësim të kundërshtimeve nga disa qeveri.

165 vende të mbledhura në Marrakesh miratuan marrëveshjen me konsensus, duke sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që u tërhoqën, duke përmendur shqetësimet rreth flukseve të emigrantëve dhe sovranitetit kombëtar.

Prej muajsh, vende si Shtetet e Bashkuara, Australia, Italia, Austria, Hungaria, Polonia dhe shtete të tjera kanë shprehur rezerva rreth dokumentit, duke aluduar se do të dobësohet autoriteti dhe sovraniteti i tyre për të marrë politika të posaçme për kufijtë kombëtarë dhe politikën e jashtme.

Aprovimi vjen pas gati dy vjet konsultimeve dhe negociatave për të prodhuar një marrëveshje për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar në trajtimin e emigracionit. Marrëveshja do të kthehet në Kombet e Bashkuara javën e ardhshme për t’u miratuar zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme.

Kompakti Global për Emigracion të Sigurt dhe të Rregullt, një dokument prej 34 faqesh, pohon se “asnjë shtet nuk mund të trajtojë vetëm migracionin” dhe përvijon 23 objektiva. Ato përfshijnë mbledhjen e të dhënave më të mira për lëvizjen e emigrantëve, forcimin e rrugëve ligjore për emigracionin, përpjekjet për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe bashkëpunimin për të lehtësuar kthimin e sigurt të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës.

Shqipëria ishte mes vendeve që firmosi marrëveshjen për emigracionin.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *