“One Stop Shop”. Ministrja Denaj takim kokë më kokë me homologun maqedonas

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, priti në një takim ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. Dy ministrat shprehën vlerësimin për nivelin aktual të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa pohuan se ka akoma vend për forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e nivelit të shkëmbimeve tregtare.

Gjatë takimit, palët ranë dakord për krijimin e grupeve të përbashkëta teknike, të cilat do të shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së pikave ndërkufitare sipas modelit “One Stop Shop”, në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e mallrave dhe njerëzve mes dy vendeve dhe të shkurtohet ndjeshëm koha e qëndrimit të biznesit në kufi. Grupet teknike do të sjellin sa më shpejt propozimet e tyre, të cilat mund përfshijnë edhe mundësinë e ndryshimit të kuadrit ligjor, propozime që më pas do të shqyrtohen dhe aprovohen në instancat përkatëse të dy vendeve.