fbpx

ONM pro zgjatjes së mandatit të KPK: Është domosdoshmëri për të përfunduar procesin

Vettingu.jpg

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbështet nismën e mazhorancës për ndryshime kushtetuese për t’i zgjatur mandatin kushtetues Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vijimin e procesit të Vettingut për gjykatësit dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë.Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, në një prononcim për medie, të publikuar edhe në faqen zyrtare të Bashkimit Europian, nënvizon domosdoshmërinë e shtrirjes së afateve kohore të KPK-së dhe Institucionit të Komisionerëve Publikë.Sa i përket afateve të sakta, ONM thotë se këtë duhet të bëjnë vetë autoritetet shqiptare, në konsultim me Komisionin e Venecias.“Në përputhje me mandatin e monitorimit që i është dhënë ONM-së nga Kushtetuta e Shqipërisë, ONM konsideron se është me rëndësi parësore që të përfundojnë të gjitha rastet e verifikimit në pritje në periudhën më të shkurtër të mundshme kohore, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit. Për të arritur këtë rezultat, është e nevojshme një zgjatje e kufizuar në kohë e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publikë. Kjo do t’i lejojë dy organet të përfundojnë të gjitha rastet në të cilat ka filluar hetimi. Është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një shtrirjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me aktorët përkatës, përfshirë Komisionin e Venecias”, thuhet në reagimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.Në qershor të 2022, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkalla e parë e vetingut, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka bërë thirrje edhe opozitës që të bashkëpunojë për ndryshimet kushtetuese për shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik.Për të bërë këtë, mazhoranca nuk i ka e vetme votat e mjaftueshme në Kuvend (77 nga 94 që i duhen), për këtë arsye është e nevojshme bashkëpunimi me opozitën.Kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare ku u votua programi politik dhe qeveria e re, u shtriu sërish dorën opozitës, megjithatë theksoi se në rast se nuk do të kenë gatishmërinë e tyre, për Reformat e rëndësishme si ajo Zgjedhore apo Kushtetuese, do e bëjnë me popullin.

 

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303