Operacioni Shqipëri-Frontex për kufijtë, jehonë në medien ndërkombëtare

Mediet më prestigjioze ndërkombëtare i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe “Frontex” (Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijve dhe Bregdetit) që është edhe bashkëpunimi i parë i kësaj agjencie me një vend jo anëtar të BE-së.

“Komisioni Europian njoftoi dërgimin e një ekipi për të ndihmuar autoritetet shqiptare në forcimin e menaxhimit të kufijve dhe të rritjes së sigurisë në kufij me Greqinë”, shkruan agjencia gjermane zyrtare e lajmeve, DPA.

“Shqipëria shpreson të bindë shtetet anëtare të hapin negociatat për aderim këtë pranverë, që iu refuzua vitin e kaluar. Kryeministri i saj Edi Rama përshëndeti këtë hap shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe vlerësoi se do të përforcojë gjithashtu edhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë”, komenton agjencia franceze zyrtare e lajmeve, AFP duke cituar njëkohësisht edhe kryeministrin e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, agjencia italiane zyrtare e lajmeve, ANSA, thekson se “duke filluar nga nesër 50 anëtarë të Frontex, që vijnë nga 11 vende të Bashkimit Europian, do të jenë në krahë të kolegëve të tyre shqiptarë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, në misionin e parë në një vend jo anëtar të BE-së”.

“E dimë që presioni është i lartë dhe se kjo rrugë është dinamike dhe duhet të jemi gati në rast se rrjedha e emigrantëve të jashtëligjshëm rritet në verën e këtij viti”, theksoi për “Reuters” drejtori ekzekutiv i “Frontex”, Fabrice Leggeri.

“Shqipëria është e vendosur t’i tregojë vendeve të BE-së se po lufton seriozisht krimin e organizuar kështu që mund të rrisë shanset për të hapur negociatat me Brukselin”, thekson agjencia prestigjioze britanike.

Jehona e këtij bashkëpunimi është pasqyruar edhe në mediet përtej Atlantikut si “Montreal Gazette”, “Fox News”, “Toronto City News”, “Vancouver Sun” etj. (ata)