fbpx

Pak nga fillimi i mbledhjes, Hajdari apel  kolegëve: Të mos dalim nga takimi pa…

Kur pritet nga momenti në moment fillimi i mbledhjes së Këshillit Politik për reformën zgjedhore, deputetja opozitare Rudina Hajdari ka bërë një apel për kolegët e saj.

Ajo ka ftuar publikisht anëtarët e këshillit për të rënë dakord lidhur me disa pika si Sistemi Zgjedhor apo teknologjia e përdorur në zgjedhje.

“Duke qenë se na ndajnë vetëm 24 orë nga mbarimi i afatit që kemi vendosur për të përfunduar reformën zgjedhore dhe ende jemi larg një kompromisi, i ftoj sot publikisht anëtarët e Këshillit Politik që të mos e mbyllim mbledhjen derisa të arrijmë kompromisin për këto çështje:

Sistemin Zgjedhor; Teknologjinë e përdorur në zgjedhje për identifikimin e votuesve; Administrimin e zgjedhjeve dhe administratën zgjedhore; Kolegjin Zgjedhor.

Nëse nga sot e deri nesër, punojmë pa pushim, duke patur parasysh jo interesat e ngushta të partive por interesat më të mira të shqiptarëve, ne mund t’ia dalim të prodhojmë një reformë e cila t’i rezistojë kohës dhe të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Shqiptarët, qartazi, sot duan të kenë më shumë pushtet në përzgjedhjen e deputetëve nëpërmjet listave të hapura.

Shqiptarët janë të lodhur nga historia 30 vjeçare e zgjedhjeve që vidhen, blihen apo shkatërrohen nga keqpërdorimi i administratës shtetërore apo përfshirja e krimit të organizuar. Unë mbetem e vendosur për t’i zgjidhur këto çështje, ndaj i ftoj edhe kolegët të më bashkohen në këtë vendosmëri dhe të mos dalim nga takimi pa arritur një rezultat”, shkruan në postimin e saj Rudina Hajdari.