Paketa fiskale, Braçe bën opozitën në Kuvend

erion-brace-633x450.jpg

Kuvendi pranoi propozimin e deputetit Erion Braçe për të mos votuar në Parlament nenin 1 të paketës fiskale për tarifat doganore.

Mazhoranca vendosi të pranojë propozimin e deputetit socialist, sipas të cilit ky projektligj bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë.

“Bie në kundërshtim me ligjin për ratifikimin e MSA me kapitullin 3, sipas së cilës nuk vendosen detyrime të reja për importet ose eksportet për komunitetin europian. Kemi dy ndalime, një nga MSA dhe një nga marrëveshjet me Organizatën Botërore të Tregtisë. Thënë këto, po përsis edhe një herë propozimin të mos miratohet neni 1, sepse bie ndesh me marrëveshjet ku jemi palë. Nuk kemi këllqet e SHBA, që diskuton nga e para tarifat. Ne jemi Shqipëria dhe kemi vendosur këtë nivel dhe marrëveshjet ku bëjmë pjesë e përcaktojnë qartë”, u shpreh Braçe në seancë plenare.

Ky ishte amendamenti i vetëm që nuk u rrëzua nga Parlamenti. Braçe propozoi në seancë plenare edhe që të zerohet tatimi për tregtinë e librave. Ai tha se vendi po vuan shitjen e librit dhe se numri i librarive është shumë më pak se i atyre të lojërave të fatit.

“Libërshitja është një veprimtari në vështirësi e prandaj kam propozuar që të jetë me tatim fitimi 0. I krijon mundësi librit të tregtohet denjësisht dhe të blihen librat,” tha Braçe.

“Libri në këtë vend po kalon një krizë, jo nga teknologjia, por është një krizë që vjen nga mundësia dhe mundësitë e botuesve, treguesve dhe mundësitë e atyre që lexojnë e blejnë librin. Për t’i ardhur në ndihmë këtij vendi, që duhet të jetë jetik përsa i përket të mësuarit, kam propozuar që të shtohet një pikë në nen, të ardhurat e përfituara nga personat juridikë që kryejnë shitjen në ambientet tregtare të hiqen nga lista”, shtoi Braçe, por amendamenti i tij u rrëzua nga mazhoranca.

scroll to top