fbpx

Pallati do shembet pasi u dëmtua nga tërmeti, banorët kundër: Duam të shohim dokumentin

Shumë banorë në lagjen 7 në Durrës janë kundër shembjes së pallatit të tyre, që u dëmtua nga tërmeti i nëntorit. Që në pikë të mëngjesit dhjetëra forca të policisë bashkiake dhe IMT së bashkisë së Durrësit, kanë rrethuar pallatin dhe iu kanë kërkuar banorëve të largohen në mënyrë urgjente.

Në krye të tyre ka qenë Arbër Braho, nënkryetari i bashkisë, i cili iu tha banorëve të dalin jashtë shtëpive në mënyrë urgjente. Një grua iu ka kërkuar punonjësve të shtetit të mos prishin pallatin plot me njerëz, por të shkojnë të prishin pallatin e saj që është i braktisur si pasojë e dëmtimeve të rënda. Gruaja i lutet inspektorëve por është e kotë.

“Hajdeni prisheni shtëpinë time prishni pallatin tim tek dyqani i Dylit, jo këtu duke nxjerrë jashtë banorët që s’kanë asnjë faj”, thotë gruaja. Banorët kanë reaguar duke iu kërkuar punonjësve një dokument për arsyen e daljes dhe të prishjes së pallatit të tyre. Por përveçse verbalisht punonjësit e shtetit nuk kanë sjellë asnjë dokument, ndërsa iu kërkojnë të lënë banesat e tyre.