Paralajmërimet e SHBA për sanksione ndaj Serbisë për armatimin rus, reagon Daçiç

Edhe përkundër kritikave të mëdha të marra gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Dacic, vazhdon me propagandën e tij dhe pretendimet për heqje të njohjeve për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Dacic ka thënë se në fund të këtij viti pritet që katër deri në pesë shtete të tërheqin njohjen për Republikën e Kosovës, shkruan Danas, transmeton Gazeta Express.

Përveç kësaj shefi i diplomacisë serbe i është përgjigjur edhe deklaratave të emisarit të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, rreth mundësisë së vendosjes së sanksioneve për Serbinë, pas sasive të mëdha të armatimit të rëndë që po merr nga Rusia e Vladimir Putinit.

Daçiq ka thënë se nuk është e nevojshme që të vendosen sanksione pasi sipas tij e dinë se çfarë armatimi është i lejueshëm e çfarë jo.

“Ne nuk jemi budallenj që të mos e dimë se çfarë lejohet”, është shprehur Dacic.

Lidhur me armatosjen e Serbisë nga Rusia ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se shteti serb duhet të ndalë një çmenduri të tillë para se të bëhet vonë.

“Armatosja e vazhdueshme e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina (Pancirë, Sisteme të Mbrojtjes Ajrore, Dronë etj) është kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën, paqen e brishtë në rajon, si dhe perspektivën Euro-Atlantike. Serbia duhet ta ndalë këtë çmenduri para se të bëhet vonë!”, ka shkruar Haradinaj.