Paralajmërohet krijimi i Serbisë së Madhe

Anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, tha se Republika Sërpska në Bosnje duhet të shpallë pavarësinë, nëse Kosova fiton ulëse në Kombet e Bashkuara. “Ne jemi të ndarë tashmë, por kjo nuk është shpallur. Bosnja është një shoqëri plotësisht e ndarë. Shteti nuk funksionon, por ka njëfarë imagjinate”, tha Dodik për gazetën beogradase Veçernje Novosti.

Ai tha se në zhvillimet gjeopolitike dhe rajonale do të krijohet momenti kur bashkimi i Republikës Sërpska me Serbinë do të jetë i mundur dhe shtoi se ai do ta përshpejtojë këtë proces aq sa mundet. “Nuk kam dilema se bashkimi do të ndodhë, veçse druaj që unë, apo dikush tjetër, mos ta humbasim këtë moment”, tha Dodik.

Ai shtoi se Bosnja “nuk do të zgjaste as dy ditë po të mos ishin të huajt”. Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimano-Kroate janë dy entitete që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Ky vend është ndarë kështu me Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje në vitet 1990. Dodik, nacionalist serb, ka fituar ulëse në Presidencën trepalëshe në zgjedhjet e tetorit të kaluar.

Dy anëtarët e tjerë të Presidencës janë Shefik Xhaferoviq dhe Zhelko Komshiq. /REL