Paralajmërohet mbyllja e të gjitha çerdheve pa leje

ck-600x360.jpg

Asnjë institucioni parashkollor që nuk ka bërë kërkesë për licencim e që e ushtron këtë veprimtari nuk do t’i lejohet të vazhdojë punën.

Këtë zotim e ka dhënë drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, i cili ka paralajmëruar se njëjtë, siç vepruan javën e kaluar me njërën nga çerdhet në kryeqytet, do të veprojnë edhe me të tjerat.

Një javë pas mbylljes së një institucioni privat parashkollor për shkak të mos licencimit, Inspektorati i Arsimit ka paralajmëruar veprime të njëjta edhe për institucionet e tjera që veprojnë jashtëligjshëm.

Drejtori i këtij Inspektorati, Dëfrim Gashi, ka deklaruar për “Kohën” se nuk do të ketë tolerim për asnjë institucion që funksionon pa licencë.

Ai ka thënë se Inspektorati nuk ka të dhëna të sakta për numrin e institucioneve parashkollore që veprojnë pa licencë, gjë për të cilën ka kërkuar ndihmë nga prindërit dhe qytetarët.

Sipas tij, me vetëm 47 inspektorë po e kanë të pamundur t’i identifikojnë të gjitha institucionet që veprojnë jashtëligjshëm. Ka thënë se presin që këtë vit t’i shtojnë edhe 20 inspektorë të tjerë.

Ndërkaq njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, e ka fajësuar Ministrinë e Arsimit që nuk e ka trajtuar si duhet licencimin e institucioneve parashkollore.

Sipas tij, është joserioz arsyetimi i MASHT-it se nuk posedojnë të dhëna të sakta për numrin e institucioneve parashkollore.

Ai i ka bërë thirrje Inspektoratit që njëjtë sikurse javën e kaluar të veprojë edhe me çerdhet e tjera të palicencuara dhe të mos përdorë politika të njëanshme për institucione të caktuara.

Zyra për media e MASHT-it ka thënë se kanë intensifikuar punën në identifikimin e institucioneve që punojnë pa licencë dhe atyre do t’u ndalohet veprimtaria përderisa ato nuk pajisen me to.

Aty shtohet se Komisioni për licencim dhe rilicencim të institucioneve edukativo-arsimore parashkollore është funksional dhe në vazhdimësi është duke i proceduar lëndët, të cilat i nënshtrohen këtij procesi.

“Ka vonesa në procedim të këtyre lëndëve për shkak se numri i institucioneve që aplikojnë për licencë vazhdimisht është në rritje, si dhe kohëzgjatja e licencës/rilicencës bazuar në UA-15/2016 maksimumi është tre vjet. Megjithatë, do të shtojmë përpjekjet për të rritur efikasitetin e këtij departamenti që këto lëndë të procedohen më shpejt”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.

Sipas një liste të MASHTI-t me çerdhe private të licencuara, në të cilën figurojnë vetëm 121 institucione. Ndërkaq Inspektorati i Arsimit vitin e kaluar ka ngritur kallëzime penale ndaj 28 institucioneve private që veprojnë pa licencë.

Sipas kësaj liste, 16 çerdhe të palicencuara janë në Prishtinë, 3 në Prizren, 3 në Pejë, 2 në Mitrovicë, 2 në Fushë-Kosovë, 1 në Deçan dhe 1 në Vushtrri.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303