Partia Socialiste mbledh Kongresin Zgjedhor, dalin datat

Partia Socialiste do të mbajë pas një jave Kongresin Zgjedhor, në një takim që do të zhvillohet për tre ditë me radhë.

Mësohet se nga data 28 shkurt deri më datë 1 mars 2020, delegatët e Kongresit do të votojnë për zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Gjatë këtyre tre ditëve që do të mbahet Kongresi, socialistët do të kenë diskutime intensive dhe të gjata mes tyre.

Më herët, nga Partia Sociliste janë shprehur se më datë 29 shkurt, sipas programit, do të zgjidhen anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Norma e përfaqësimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS që zgjidhen nga Kongresi është një anëtar i Asamblesë për 800 anëtarë partie.

Kështu garantohet dhe përfaqësimi i barabartë i gjithë territorit të vendit si dhe të bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë.

Ndërkohë, të shtunën më datë 22 shkurt socialistët do të zhvillojnë një konferencë ndërkombëtare me titull ‘Një kontinent, një e ardhme- Zgjerimi i BE drejt Ballkanit Perëndimor.’