Partizani-Tirana gati për betejën epike, formacionet

Koha do të ndalet, e gjithë vëmëndja do të kthehet në stadiumin “Selman Stërmasi”, aty ku rivalët historikë, dy skuadra që përjetëisht do të jenë në anën e kundërt do të sfidohen për të përcaktuar se kush do të mbretërojë kryeqytetin. Prej 4 vitesh ose më mirë prej 14 ndeshjesh në fron qëndron me krenari Partizani, një hapësirë kohore ku të kuqtë nuk janë larguar asnjëherë të dëshpëruar. Një përballje mes dy besimeve të ndryshme, mes një skuadre si Partizani që në çastin kur u krijua e më tej bëri një Shqipëri të dashurohej me të, por që nuk gjente mbështejte maksimale në qytetin e vetë, sepse në Tiranë pjesa më e madhe ishte bardheblu. Futbolli shqiptar është mbi të gjitha Partizani-Tirana, vlen sa një kampionat dhe kjo nuk është një fjali e euforike, por është një e vërtetë e prekshme për të gjitha ata që i ndjejnë ngjyrat e dy klubeve ose kanë kontribuar për to. Rivaliteti i shëndetshëm është mjaft i veçantë aq sa nuk të lejohet që në stërvitje apo edhe në përditshmëri të veshësh ngjyrat e rivalit.

“Demat” duke se më në fund e kanë deshifruar kodin e suksesit dhe shtegu është ai i duhuri për të ngritur lart trofeun e kampionit pas një argjërimi ekstrem prej 15 vitesh. Skënder Gega i lidhur ngushtë me të kuqtë ka ditur deri më tani të administrojë edhe situata të vështira si rasti i Trashit apo çështja Alban Hoxhës, me kapitenin që nuk do të jetë titullar.

E nëse Partizani ka hasur në disa pengesa, Tirana ka përfunduar buzë greminës. Viti i “ferrit” në kategorinë e parë nuk i ndezi flakët e kësaj skuadre që deri më tani nuk ka bërë askënd krenar në rikthimin mes më të mirëve. Tifozët janë larguar, madje situata degradoi aq sa iu kërkua lojtarëve të hiqnin fanellat, por derbi është diçka tjetër, mund të shërbejë si një dozë e pakrahusueshme morali që do të ringrinte në këmbë bardheblutë e plagosur. Partizani-Tirana është më shumë se një ndeshje, vlen më tepër se një titull, Partizani-Tirana është futbolli shqiptar.

Përsa i përket 11-sheve titullare që do të zbresin në fushën e Selman Stërmasit, dy trajnerët Gega dhe Mema nuk kanë më dilema.

Formacionet e mundshme:

Partizani:(4-2-3-1): Xhika, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Asani, Mensah, Mala, Bardhi.

Tirana:(4-3-2-1):Abibi, Doka, Atinga, Hoxhallari, Imami, Daja, Maveje, Karabeci, Sentamu, Halili, Hasani.

Lër një koment