fbpx

Pas Kosovës, edhe Shqipëria bojkoton ceremoninë e Çmimit Nobel

Shqipëria i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kosovës, për bojkotimin e ceremonisë së ndarjes së Çmimit Nobel, për shkak se çmimi iu dha shkrimtarit austriak, Peter Handke, i cili njihet edhe si mbështetës i Millosheviçit.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri në Detyrë, Gent Cakaj njofton se është urdhëruar Ambasadori i Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi.

“Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit”, shkruan Cakaj.

Postimi i plotë

Duke qenë thellësisht të bindur se arsyetimi dhe lavdërimi i krimeve të luftës është pengesë për shpirtin e pajtimit që duhet të mbizotërojë në rajon, ne kemi urdhëruar Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handken.

Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit.

Ndaj, Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi.

Përkushtimi ynë, ndërkaq, do të vazhdojë për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në vlerat e patjetërsueshme të së vërtetës dhe në përputhje me kërkesat më të larta të drejtësisë.