Pas pandemisë, Gjermania pritet ta bëjë të ligjshme punën nga shtëpia

berlin-1826557_1280.jpg

Gjermania po planifikon që ta bëjë ligjore të drejtën e punës nga shtëpia edhe pas pandemisë së koronavirusit të ri.

Sipas Ministrit të Punës në Gjermani  Hubertus Heil, gjatë kësaj vjeshte pritet të paraqesë legjislacionin.

Bazuar në vlerësimet fillestare përqindja e forcës punëtore që punon nga shtëpia është rritur nga 12% në 25% gjatë krizës së koronavirusit. Në Gjermani llogaritet se rreth 8 milionë njerëz punojnë nga shtëpia, raporton AP.
“Kushdo që dëshiron dhe që ia lejon puna, duhet të jetë në gjendje të punojë nga shtëpia, edhe kur pandemia të ketë mbaruar”, tha Heil.

“Ne po mësojmë gjatë kësaj pandemie se sa shumë punë mund të bëhet nga shtëpia”, shtoi ai.

Përmes këtij projektligji nuk do të bëhet e detyrueshme puna nga shtëpia, mirëpo vetëm do të mundësohet një gjë e tillë.
“Njerëzit mund të zgjedhin që të punojnë plotësisht nga shtëpia, ose ta bëjnë këtë vetëm për një ose dy ditë në javë”, tha ai.

Ndërkohë grupi kryesor i punëdhënësve në Gjermani e hodhi poshtë idenë.
Shefi ekzekutiv i Konfederatës së Shoqatave Gjermane të Punëdhënësve, Steffen Kampeter, tha se puna në shtëpi është në interes të të gjithëve kur është e mundur dhe ka kuptim, por “çështjet operacionale dhe kërkesat e klientëve duhet të luajnë një rol kryesor”.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303