Pas shkarkimit nga KPA, Besnik Muçi takim blic me Metën

kriz.jpg

Burime nga Presidenca bëjnë me dije se Besnik Muçi është ftuar në një takim nga Presidenti Meta për situatën e krijuar për rastin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Pas takimit pritet një sqarim zyrtar për mediat nga Presidenca, e cila po sot pritet të bëjë publik dhe nismën e saj për Referendum.

Besnik Muçi u shkarkua dje nga KPA, si prokuror, duke u përjashtuar për 15 vite nga sistemi i drejtësisë, por sipas tij ai nuk mund të largohet nga Gjykata Kushtetuese, pa një vendim të këtij organi.

Duke qenë se Gjykata Kushtetuese është ende e paplotësuar me të nëntë anëtarët e saj, duket se vendimi do të vonojë, për shkak të mungesës së kuorumit në votim.

Në faqen e Gjykatës Kushtetuese figurojnë zyrtarisht si anëtare: Vitore Tusha, Besnik Muçi, Fjona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska, ndërkohë që mbetet ende në pikëpyetje emërimi nga KED i Arta Vorpsit.

Pavarësisht se sipas tij vendimi i KPA është joligjor, Muçi shprehet në letër: Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 në një afat sa më të shpejtë të mundur. Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore. 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303