Pas stuhisë Ciara, Britania përfshihet nga stuhia Dennis

Stuhia Dennis ka përfshirë Britaninë e Madhe duke shkaktuar reshje të mëdha dhe erë të fuqishme në disa pjesë të Anglisë.

Zyra e Meteorologjisë ka paralajmëruar se vërshimet mund të paraqesin rrezik për jetë.

Kompanitë ajrore “British Airways” dhe “EasyJet” kanë konfirmuar se do t’i anulojnë fluturimet për arsye sigurie dhe i kanë këshilluar klientët që t’i përcjellin të dhënat në faqet e internetit për ndryshimet e mundshme.

Zyrtarët lokalë në West Yorkshire njoftuan se ushtarët do të angazhohen gjatë përgatitjeve për efektet e stuhisë, shkruan “Independent”.

Meteorologët kanë parashikuar erëra me shpejtësi deri në 112 kilometra në orë dhe reshje deri në 12 centimetra.

Studia Dennis vjen një javë pas stuhisë Ciara e cila shkaktoi përmbytje në disa qytete, anulim të fluturimeve dhe la disa qytete pa energji elektrike për shkak të reshjeve të shumta dhe erërave të forta.