Pastrimi i parave, politikanët kalojnë në skaner

Parlamenti-21_0.jpg

Politikanët do të vihen në sitë për sa i përket përfshirjes së tyre në pastrimin e parave. Mbajtja nën vëzhgim të funksionarëve të lartë shtetërorë do të vijojë edhe deri në 10-vite pasi ata të kenë hequr dorë nga politika apo funksionet shtetërore.

Ky është konstatimi që vjen nga projektligji i ri që do të sjellë ndryshime në ligjin për “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit”. Ky projektligj vjen pas kritikave të shumta që qeveria shqiptare ka marrë nga institucionet ndërkombëtare.

Zvogëlimi i rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit; parandalimi i hyrjes së produkteve të veprave penale apo veprimtarisë kriminale, si dhe të fondeve në mbështetje të terrorizmit në sektorin financiar apo në sektorë tjerë ose zbulimi dhe raportimi i tyre; zbulimi dhe goditja e kërcënimeve për pastrim të parave/ financim terrorizmi, si dhe dënimi e zhveshja e autorëve nga  përfitimet e paligjshme” janë tre aspekte që nënvizon relacioni shoqërues i projektligjit.

Ndryshimet që i bashkëngjiten ligjit kundër pastrimit të parave së pari, lidhet me sqarimin e termave lidhur me shërbimet korrespondente nga bankat dhe institucionet e tjera financiare.

Së dyti, ajo do të shtrihet tek personat e ekspozuar politikisht, ku vëzhgimi ndaj tyre do të shtrihet edhe për një periudhë 10-vjeçare pas lënies së detyrës, shkruan Monitor.

Ligji aktual parashikon se “Personat e ekspozuar politikisht” janë personat, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil. Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike”.

Shtesa në projektligj është “kjo kategori klientësh konsiderohen “persona të ekspozuar politikisht” deri në 10 vite pas largimit nga funksioni. Sipas gjykimit të vetë subjektit, ky afat mund të shtrihet edhe përtej 10 vjetësh”./real-news.tv/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303