Pelosi i përgjigjet Shtëpisë së Bardhë në lidhje me hetimin ndaj Trump

Nancy Pelosi i është përgjigjur letrës së Shtëpisë së Bardhë lidhur me refuzimin për të marrë pjesë në hetimin kundër presidentit amerikan, Donald Trump.

Pelosi e quajti letrën “qartazi të gabuar” dhe akuzoi presidentin Trump se po përpiqej të “normalizonte paligjshmërinë”.

“Zoti President, ju nuk jeni mbi ligjin. Do të mbani përgjegjësi”, tha Pelosi, duke shtuar se “Shtëpia e Bardhë duhet të paralajmërohet se përpjekjet e vazhdueshme për të fshehur të vërtetën nga populli amerikan për abuzimin me pushtetin e presidentit, do të konsiderohen si dëshmi e mëtejshme e pengesave”, tha Pelosi.

Hetimet ndaj presidentit Trump kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Sipas një informatori anonim, që më vonë u tha se është agjent i CIA-s, gjatë bisedës Trump i ka kërkuar homologut të tij ukrainas që të nisë hetime për kundërshtarin e tij në garën për zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, dhe përfshirjen e djalit të këtij të fundit, në një kompani ukrainase për energji.

Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve miraton fajësinë ndaj Trumpit, atëherë procesi kalon ne Senat i cili zhvillon një procedurë gjyqësore ndaj presidentit dhe merr vendimin përfundimtar./real-news.tv/