Përdhunimi i 15-vjeçares/ Vokshi akuza të forta: U bë propagandë për punonjësit e sigurisë në shkolla

vokshiii-770x433.jpg

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar lidhur me skandalin e abuzimit seksual ndaj 15-vjeçares nga roja i shkollës dhe 3 persona të tjerë. E ftuar në “Ditari” në A2, Vokshi shprehet se pasi “u bë propagandë për punonjësit e sigurisë në shkolla”, ndodhin raste abuzimi me të mitur në institucionet arsimore.

“Ku është shteti për fëmijët tanë? Pse nuk i mbron? Ndaj, nënat duhet të reagojnë vetë për të mbrojtur fëmijët. Shteti mbron kriminelin, dhunuesin dhe përdhunuesin. I gjithë shteti nuk funksionon, ka rënë. Edhe në Kavajë ndodhi një rast i tillë dhe ende nuk është vënë drejtësia; edhe në Fier po ashtu. Si mundet ministrja të thotë se tani do të vendosin më shumë psikologë. Psikologët duhet të jenë të përhershëm në shkollë, por jo psikologët e partisë. Shkolla dhe arsimi duhen depolitizuar”, tha Vokshi.

“Ligjet nuk zbatohen sepse polici që dhunon merret në mbrojtje nga kryeministri. Sot paradite mori në mbrojtje drejtorin e Policisë, Ardi Veliun, duke thënë se ka integritet të lartë, pavarësisht se dosja e dorëzuar në institucionet e shtetit për të përmban jo pak problematika. Ligjet nuk funksionojnë sepse kryeministri mendon se e bën ai ligjin dhe mund të marrë në mbrojtje dhunuesit e të drejtave të qytetarëve”, shtoi ish-deputetja e PD-së.

Kur u pyet nëse do të ishte një zgjidhje rritja e masës ndëshkimore për raste të abuzimit me të mitur, Vokshi tha:

“Nuk shoh lidhje të rritjes së dënimit me uljen e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Por, ka lidhje varfëria. Sa më shumë varfëri, aq më shumë raste abuzimi”.

scroll to top