Përdhunimi në Kavajë, reagon ashpër CRCA

6f969cf71a82b37a02ad719136a040e2_L.jpg

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kavajë ku u përdhunua për një periudhë 4-mujore një 13-vjeccare ka reaguar edhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA).

Ngjarja ndodhi në shkollën “Rilindja” të Kavajës, ku 8 adoleshentë të kësaj shkolle përdhunuan nxënësen 13-vjeçare, duke e shantazhuar me nxjerrjen e një video intime.

Nëpërmjet një deklarate për mediat CRCA kërkon që nga institucionet të ketë një hetim të plotë të ngjarjes si dhe të krijohet një Komision i Posaçëm Hetimor Parlamentar në Kuvend për të hetuar të gjitha veprimet ose mos-veprimet e institucioneve shtetërore si: Zyra Arsimore Kavajë, Komisariati i Policisë Kavajë, Bashkia Kavajë, për të parë nëse ato i kanë ushtruar ose jo detyrat e tyre institucionale, sipas kritereve të Ligjit 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.

“Policia e Shtetit të sqarojë pozicionin e saj në lidhje me ngjarjen, nëse ka patur dijeni dhe nëse po, të jap shpjegime se pse nuk ka reaguar në kohë;

Bashkia Kavajë duhet të marr në mbrojtje të menjëhershme vajzën dhe familjen e saj, duke i ofruar atyre shërbimet e trajtimit të traumës afatshkurtër dhe afatgjatë;

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duhet të ofrojë shërbim të specializuar dhe mbështetje psiko-sociale edhe për adoleshentët e dyshuar si autorë të kësaj vepre penale. Të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë janë adoleshentë, ndaj pavarësisht rolit, ata kanë nevojë për të marr trajtimin dhe kujdesin e duhur;

Prokuroria e Përgjithshme duhet të hapë një hetim të plotë mbi ngjarjen, për të parë të gjitha veprimet dhe mos-veprimet e institucioneve përkatëse, si dhe duke vlerësuar faktet ajo duhet të marrë në konsideratë nëse janë kryer ose jo vepra të tjera penale si pornografia me fëmijë, etj.

Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është e patolerueshme. Krime të tilla tronditin jo vetëm viktimën dhe familjen, por edhe komunitetet ku ata jetojnë. Në këtë aspekt ne nxisim Bashkinë Kavajë dhe Policinë e Shtetit, që të marrin masat më të mundshme për të nxitur një komunikim konstruktiv midis të gjitha familjeve të prekura, duke përdorur edhe masat e drejtësisë rikthyese për të miturit. Nga ana tjetër, ne kërkojmë angazhimin e plotë dhe serioz të të gjithë strukturave shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo lloj forme e dhunës përfshi këtu edhe atë seksuale, për të nxitur raportimin e menjëhershëm të rasteve të tilla pranë numrit falas 116-111 ose pranë Policisë së Shtetit.

Se fundmi, CRCA Shqipëri i bën thirrje të gjitha mediave për të ruajtur konfidencialitetin e vajzës dhe të të gjithë adoleshentëve të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe familjeve të tyre, si një mënyrë për të lehtësuar, aq sa është e mundur, komunikimin dhe ndjesën midis familjeve dhe personave të përfshirë në këtë ngjarje”, thuhet në reagimin e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri. /Real-news.tv/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303