Përfundon mbledhja e Këshillit Politik/ Flasin Hajdari,  Bylykbashi dhe Gjiknuri

Ka përfunduar mbledhja e parë e  Këshillit Politik, organit të ngritur pas marrëveshjes maxhorancë-opozitë për arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore.

Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari u shpreh për mediat opozita ka veton për produktin final që do të dalë nga kjo tryezë.

Hajdari e vuri theksin te rëndësia e ndryshimit të sistemit zgjedhor. “U thanë dy gjëra kryesore nga ana jonë, çështja e ndryshimit të sistemit është një çështje që do të diskutohet. Puna e komisionit për reformën zgjedhore do të vazhdojë. Por ne kemi veton në produktin final. Ai duhet të jetë një produkt sa më gjithëpërfshirës. Për ne është e rëndësishme që të arrijmë një konsensus, dhe mesa shikoj unë edhe palët kanë filluar të flasin për ndryshimin e sistemit. Ajo që është e rëndësishme mendoj është që ne të kemi një produkt që të dakordësohen të gjitha palët. Është një marrëveshje që duhet të ndodhë që ne ta përmbyllim reformën zgjedhore. Mendoj se takimi ishte i suksesshëm, përfshirja e të gjitha palëve ishte gjë e mirë, ju garantoj që tani e tutje ne do të vazhdojmë të takohemi”, u shpreh Hajdari.

Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë tryezë, Oerd Bylykbashi theksoi prioritetet që ka opozita. Sipas tij, ato janë të njëjta me prioritet e OSBE/ODIHR, të tilla si lufta kundër blerjes së votës.

“Ky këshill i autorizoi ekspertët që të veprojnë me konsensus. Ajo që ne bëmë të ditur, qëndrimin e opozitës së bashkuar është prioriteti i çështjeve, që përputhet me prioritetet e OSBE-ODIHR, që janë lufta ndaj blerjes së votës, cënimi i votës. Ky dokument ju do t’ju bëhet publik, ndaj detyra është të ecim shpejt me hartimin e një reforme. Nuk kam çfarë të shtoj asgjë, Kuvendi duhet ta miratojë atë që do dali me konsensus pa asnjë ndryshim”, tha Bylykbashi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, njëkohësisht bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha se prioritet është objekti i punës së komisionit për reformën zgjedhore.

“Prioritetet, secila palë vendos prioritetet e saj. Prioritet është objekti i punës së komisionit për reformën zgjedhore. Konotacionet politike, ne jetojmë në politikën shqiptare, disa gjëra i dëgjojmë, disa i hedhim mbrapa. PD ka bërë një kthesë të madhe nga qëndrimet e saj dhe është për t’u përshëndetur”, u shpreh Gjiknuri.