Përjashtimi i Rusisë nga garat sportive/ Medvedev: Histeri anti-ruse

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, e ka quajtur “histeri anti-ruse” vendimin e Agjencisë Botërore të Antidopingut (WADA) për përjashtimin e Rusisë nga ngjarjet e mëdha sportive.

“Fakti që të gjitha këto vendime janë duke u përsëritur dhe shpesh kundër atletëve që tashmë janë ndëshkuar, të mos përmendi pika të tjera, jep një ide se është vazhdim i ‘histerisë anti-ruse’ që është bërë kronike”, tha Medvedev, i cili pranoi se sporti rus ka probleme me dopingun, por ai pret që vendimi i WADA-s të apelohet nga përfaqësuesit rusë.

“Organizat ruse, kompetente në trajtimin e këtyre çështjeve, do të duhet të mendojnë se si vendimi mund të apelohet”, tha kryeministri rus.

Sot, WADA njoftoi vendimin e saj për të përjashtuar Rusinë për katër vite nga garat e mëdha ndërkombëtare. Atletët rusë do të mund të garojnë nën flamurin neutral, ndërsa zyrtarëve dhe përfaqësuesve të vendit do t’u ndalohet pjesëmarrja.

WADA po ashtu ndaloi Rusinë nga organizimi i ngjarjeve të mëdha gjatë të njëjtës periudhë.