fbpx

Përkeqësimi i motit, Policia Rrugore bën paralajmërimin për drejtuesit e automjeteve

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe erërave të forta, Drejtoria e Policisë Rrugore ka njoftuar se policia ka shtuar prezencën e shërbimeve në të gjitha akset.

Po ashtu, apelohet që të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të veçantë, pasi ka prezencë të ujit në disa rrugë.

Kërkohet që drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë manovra apo parakalime të gabuara, të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Po ashtu, në njoftim thuhet se drejtuesit e motomjeteve duhet të vendosin kaskën mbrojtëse, ata të biçikletave të ndriçojnë biçikletën gjatë udhëtimit dhe në rast reshjesh të dendura të ndërpresin lëvizjen deri në qetësimin e motit, që të mos rrezikojnë jetën e tyre.

Kërkohet që një vëmendje të veçantë të tregojnë edhe këmbësorët që tentojnë të kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, pasi për shkak të shiut dhe të errësirës, rreziku është i madh për t’u përfshirë në aksident rrugor.