fbpx

Përparim në bisedimet mbi krizën në Venezuelë

Qeveria norvegjeze ka njoftuar se negociatat mes përfaqësuesve të presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro dhe udhëheqësit të opozitës Juan Guaido po përparojnë. Ministria e Jashtme tha se të dyja palët “kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara” drejt gjetjes së një zgjidhjeje të negociuar për krizën politike në Venezuelë.

Ministri venezuelian i Punëve të Jashtme Jorge Arreaza në një postim në Twitter tha se ai vlerëson përpjekjet e Norvegjisë për paqen.

Arreaza tha gjithashtu se të dyja palët “kanë treguar gatishmëri për të lëvizur drejt një zgjidhjeje të negociuar për krizën në Venezuelë”.

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka deklaruar se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur dallimet e tyre.

“Mënyra e vetme është dialogu. U shpenzua shumë energji për të shkuar në Norvegji, pati disa muaj bisedimesh sekrete, të kujdesshme dhe ne duhet të vazhdojmë kështu, të jemi të kujdesshëm, u deshën disa muaj për të arritur në Norvegji 10 ditë më parë”, tha Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro.

Bisedimet zhvillohen mes tensioneve në rritje mes Presidentit Maduro dhe Presidentit të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, i cili u vetëshpall president i përkohshëm i vendit në janar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe rreth 50 vendeve të tjera.

Guaido pranoi të bisedonte në Norvegji pasi fillimisht kishte thënë se çdo dialog duhet të rezultonte në dorëheqjen e Maduros dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ende nuk është publikuar asgjë rreth bisedimeve që po mbahen në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, të cilat kanë për synim gjetjen e zgjidhjeve për krizën politike dhe ekonomike që ka përfshirë vendin./real-news.tv/