Përplaset avioni me helikopterin, 3 të vdekur

Tre persona mbetën të vdekur dhe 3 të tjerë u plagosën si pasojë e përplasjes së një avioni të vogël me një helikopter në aeroportin pranë malit Everest.

Avioni i “Simrik Air” ishte nisur nga aeroporti Tenzing-Hillary, përpara se të përplasej me një helikopter që ndodhej në pistë, ka bërë të ditur një zëdhënës i policisë.

Në mesin e të vdekurve është piloti i avionit dhe dy zyrtarë policorë, të cilët gjendeshin në afërsi të helikopterit të parkuar.

Piloti tjetër i avionit, piloti i helikopterit dhe një tjetër person ishin 3 të plagosurit, të cilët ndodhen në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Ndërkohë, fatmirësisht 4 pasagjerë të tjerë të avionit nuk pësuan lëndime.

Si avioni, ashtu edhe helikopteri i përkisnin kompanive private të fluturimeve, që kryesisht transportojnë turistët në pjesët më të largëta të Nepalit.

Qindra alpinistë shkojnë çdo vit në muajin prill në këtë zonë për t’u ngjitur më pas në malin Everest.

Aeroporti në të cilin ndodhi aksidenti është një nga më të rrezikshmit në botë. Muajin e kaluar, 7 persona, mes të cilëve edhe ministri i Turizmit të Nepalit, humbën jetën në një aksident me helikopter./real-news.tv/