‘Betejë’ për Lleshin! Meta- Ramës: Iku koha e Sekretarit të Parë!

Të shtunën, presidenti Ilir Meta tha se nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm.

Sot, kryeministri Edi Rama bëri lëvizjen e tij, duke i dhënë drejtimin e Ministrisë së Brendshme Lleshit, si zëvendësministër, një mënyrë komandimi deri në zgjidhjen e këtij ngërçi. Por kreu i qeverisë nuk ishte i butë në qëndrimin e tij. Ai tha: “Nuk mbaron me kaq”, duke paralajmëruar se për më shumë do të fliste nesër në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga mazhoranca për votimin e dekretit të shkarkimit të ministrit Fatmir Xhafaj.

“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”, shkruante Rama këtë paradite në rrjetet sociale.

Ndërkohë, dje në drekë, shefi i mazhorancës dhe kreu i shtetit patën një takim në presidencë, për të cilin zyra e shtypit pranë kryeministrisë, dha këtë njoftim public:

“Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”, thuhej në njoftimin e kryeministrisë.

Sot, kreu i shtetit Ilir Meta, në një reagim përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, tha se nuk do të lejojë askënd që të shkelë autoritetin e institucionit që ai përfaqëson.

“Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues.

Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.

Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë  interes.

Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë“.

Prej vitit 2013 Gjeneral Sandër Lleshi ka qenë këshilltar i kryeministrit për çështjet e sigurisë.

 

Lër një koment