fbpx

Përplasje për reformën, jo dakordësi për teknologjinë në zgjedhje

Aplikimi i teknologjisë në zgjedhje duket se do të jetë një çështje që mund të sjellë probleme në diskutimet e palëve për reformën zgjedhore.

Pas mbledhjes së sotme të Këshillit Politik, përfaqësuesi i opozitës Oerd Bylybashi tha para mediave se mazhoranca nuk është e gatshme të pranojë votimin elektronik dhe identifikimin biometrik.

“Debat në lidhje me votimin elektronik dhe identifikimin biometrik. Për fat të keq për ne doli qartë qëndrimi i mazhorancës që nuk është e gatshme të ecë në këtë drejtim, të fusë identifikimin biometrik në të gjitha qendrat e votimit për të garantuar që kutitë e votimit nuk mbushen, nuk do që të mos ketë votim në emër të emigrantëve që nuk kanë ardhur kurrë në Shqipëri, të mos ketë votim familjar, që komisionerët të mos mbushin kutitë në mbylljen e procesit të votimit për ata që nuk erdhën të votonin dhe të mos votohet me karta identiteti të falsifikuara”, tha ndër të tjera Bylykbashi.