Përse Veliaj nuk bëhet dot Rama?!

Erion Veliaj është një prej atyre politikanëve që i ka objektivat e qartë. I vetmi ‘kostum’ që i rri mirë sipas mendjes së tyre është ai i të parit.
Që prej kohës kur drejtonte MJAFT-in Veliaj punoi që një ditë të ishtë drejtues politik i rëndësishëm në vend.
Ai u bë ministër por shumë shpejt kandidoi për Bashkinë e Tiranës. Hapat ishin të qartë: të ndjekim ato të “Shefit të madh” deri në fund.
Por ambiciet e tij tashmë e tejkalojnë Bashkinë e Tiranës. Ai që prej marrjes së drejtimit të kryeqytetit ka punuar dhe punon për tu ngjitur në karrierën e tij politike në Partinë Socialiste.
Politikani i propagandës dhe spektaklit, pothuajse është vetëshpallur pretendent për pasardhës i kryeministrit Edi Rama.
Erion Veliaj, shfrytëzon çdo gjë për ta realizuar këtë, duke nisur nga aksesi i tij i jashtëzakonshëm thuajse në të gjitha mediat. Është gjatë gjithë kohës në ofensivë. Ai mendon se fakti i të qenit kryetari i bashkisë së kryeqytetit do ta ndihmojë të shkojë drejt majës, ashtu siç ndodhi me Edi Ramën.
Por a do të mund ta realizojë “Lali” objektivin e tij dhe a do të bëhet dot si Edi Rama?! Çfarë e ndryshon Veliajn me Ramën? Çfarë e pengon atë të ketë të njëjtin fat?
E para dhe më e rëndësishmja është fakti se Rama mbahet mend si kryebashkiaku i ndryshimeve të mëdha, i projekteve të mëdha. Ai që ndihmoi Tiranën që të kalonte nga katrahurë në një qytet që të jepte shijen e kryeqytetit, i dha fytyrë të re këtij qyteti.
Në të kundërt me Ramën Veliaj po e shkatërron këtë qytet. Kryeqytetasit nuk do t’i jenë mirënjohës për asgjë. Për asnjë investim.
Do ta mbajnë mend vetëm për kronikat e gatshme, për propagandën, për kapjen totale që i ka bërë shumicës së mediave.
Madje do të kujtojnë edhe për një gjë tjetër, fakt që përbën edhe arsyen kryesore pse Veliaj nuk mund të jetë Rama: “Dashuria” me kundërshtarët politikë.
Rama në kohën tek ngjiste shkallët në politikë krijonte përplasje, kishte individualitetin e ti. Nuk bënte kronika gati. Ai ishte në ballë të luftës politike me kundërshtarët.
Të gjithë e mbajmë mend Ramën, se si e krijoi individualitetin e tij, në ato kur ecte me sëpatë në dorë dhe shkëmbente batuta, deri edhe shumë të forta, me njerëzit gjatë mandatit të tij si kryebashkiak.
Nga ana tjetër Veliajn e shikojmë gjithnjë duke u puthur dhe përqafuar. A mund ët jetë ky një imazh i vërtetë?
Rama njihet si njeri vendimesh të forta ndërsa Veliaj fshihet pas qeverisë duke mos dashur të marrë përgjegjësi dhe të mos bëhet pjesë e debateve të mëdha.
Çfarë ndodh sot me Veliajn?! Me gjithë babëzinë që ka shfaqur duke betonizuar kryeqytetin tonë, me gjithë aferat, me gjithë allishverishet, “Lali” arrin gjithnjë t’i ‘shpëtojë’ furisë së opozitës, Lulzim Bashës, Monika Kryemadhi, Ilir Metës apo edhe atij që nuk lë njeri pa sulmuar, Sali Berishës.
Opozita bëri disa protesta të mëdha. Nuk la kënd pa denoncuar. Me video nëpër spote ka denoncuar të gjithë njerëzit e Edi Ramës, nga Saimir Tahiri, i cili dyshohet për lidhje me trafikun e drogës midis Italisë dhe Shqipërisë, Vangjush Dako, i cili rezulton i përfshirë me Avdylajt në përgjime për vjedhjen e votave në Durrës dhe Shijak dhe së fundmi edhe Damian Gjiknurin, i cili gjithashtu dilte hapur në grabitjen e votave në Dibër.
Në denoncimin e opozitës mungonte vetëm “Lali”. I ka kapur nëpërmjet interesave të errëta?! Këtë nuk mund ta themi dot. Por analiza të çon në përfundimin se Veliaj ka zgjedhur këtë rrugë për t’i zënë vendin Ramës dhe pikërisht kjo lidhje e tij me opozitën, mania për të kapur gjithçka dhe gjithkënd mbase do të jetë edhe pengesa më e madhe në rrugëtimin e tij politik./real-news.tv/