Pezullohet zgjedhja e “Kushtetueses”, reagon Meta

Presidenti Ilir Meta ka bërë të ditur qëndrimin e tij për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Avokates së Popullit, Erinda Ballanca dhe Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Meta thotë se nuk është respektuar radha kronologjike e përcaktuar në Kushtetutë. Sipas tij, fakti që të njëjtët kandidatë gjenden edhe në listën e Kuvendit, “komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.

“KED-ja ka zhvilluar procedurën e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes, ka aplikantë, të cilët gjenden njëkohësisht në cilësinë e kandidatit qoftë në vakancat që i përkasin për plotësim Presidentit e qoftë në vakancat që plotësohen nga Kuvendi. Emërimi eventual i njërit aplikant në listën e Presidentit, afekton domosdoshmërisht edhe numrin e aplikantëve që gjenden në listën/at e Kuvendit.

Duke qenë se Kushtetuta parashikon që Kuvendi duhet të ketë në dispozicion apo administruar 3 (tre) kandidatura për të bërë përzgjedhjen e vet, Presidenti duhej të vihej në kushtet, që emërimi që ai duhet të bëjë, të mos cenojë hapësirën vlerësuese të Kuvendit, në përzgjedhjen e tij.

Fakti që të njëjtët aplikantë gjenden edhe në listën e Kuvendit, komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, një përzgjedhje e mundshme e Presidentit, pa ruajtur radhën kronologjike që Kushtetuta përcakton, mund të sillte/sjellë teorikisht, deri edhe në vendosjen e Kuvendit në kushtet e pamundësisë praktike për të pasur numrin e nevojshëm të kandidatëve për zgjedhur anëtarët që i takojnë”, thuhet në letër.

Presidenti bën më tej të ditur se për shkak të këtyre arsyeve ka vendosur të pezullojë procesin administrativ të  shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese

Pikërisht për ta ruajtur kushtetutshmërinë e këtij procesi dhe me qëllim që të ketë mundësinë që të shprehet për emërimin e gjyqtarit kushtetues, Presidenti i Republikës, në mbështetje të neneve 4, 92, 179, pikat 2, 12 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, 7/b, dhe 86 pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, neneve 66 dhe 44/2 shkronja “c” e ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, ka vendosur paraprakisht: 

– Të pezullojë procesin administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, përcjellë nga KED me shkresë nr. 553 prot., datë 08.10.2019, deri në zgjedhjen e anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë apo deri në përfundimin e afatit kushtetues, brenda të cilit Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e dy vakancave që i përkasin atij si organ emërtese dhe që, sipas përllogaritjes, ky afat përmbushet në datë 13 nëntor 2019; 

– t’i kërkojë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm plotësimin e praktikës dokumentare dhe dërgimin brenda 5 (pesë) ditëve të kopjes së dokumentaciont të administruar e të shqyrtuar nga KED-ja që përmban dosja e kandidimit e secilit prej 4 (katër) kandidatëve të lejuar dhe të listuar nga KED-ja për plotësimin e vakancës së shpallur nga Presidenti me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, me qëllim vijimin e shqyrtimit;

– të kërkojë bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë që të vlerësojë mundësinë për të përfshirë për shqyrtim në seancë plenare, brenda një kohe sa më të shpejtë, zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që Presidenti i Republikës, të ushtrojë kompetencën e tij, sipas radhës së diktuar nga Kushtetuta dhe ligji nr.8577/2000. 

Presidenti i Republikës gjen rastin të shpreh edhe një herë vullnetin e Tij se ashtu si ka vepruar deri më tani do të vijojë të ofrojë mbështetjen dhe bashkëpunimin maksimal me secilin prej institucioneve në mënyrë që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë të jetë sa më shpejt funksionale dhe të gjitha vendet vakant në këtë gjykatë të plotësohen sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me parashikimet e Kushtetutës dhe kërkesat e ligjit”, përfundon presidenti letrën e tij.