fbpx

Pirlo e di si ta bëjë edhe më “vrasës” Cristiano Ronaldon

Andrea Pirlo tashmë edhe zyrtarisht është trajner i ri i Juventusit. Pas shkarkimit të Maurizio Sarrit, pas eliminimit nga Champions League – Juve i befasoi të gjithë duke e ul në stol legjendën e Italisë.

Ka nga ata që janë skeptik për këtë vendim, derisa ka edhe nga ata që besojnë se me klasin që ka pasur si lojtar dhe qetësinë si person – Pirlo mund të bëjë gjëra të mëdha te ‘Zonja e Vjetër’. Natyrisht, gjërat si trajner paksa do t’ia lehtësojë pesë herë më i miri i botës dhe njeriu që ka thyer shumë rekorde, Cristiano Ronaldo.

Pirlo duket se e di shumë mirë se si duhet nxjerrë më e mira nga CR7. Gjatë kohës kur e gjithë bota u izolua për shkak të pandemisë së COVID-19, Pirlo vazhdimisht ishte në kontakte përmes rrjeteve sociale me legjenda të futbollit.

Pirlo, duke folur me Fabio Cannavaron, i kishte treguar atij se si duhet të nxirret më e mira nga 35-vjeçari, derisa kishte folur edhe për formacionin e tij të preferuar. “Problemi i Juventusit është mesfusha. Ata e transferuan Cristiano Ronaldon, por duhet të gjejnë mënyrën e duhur për t’i shërbyer atij”, kishte thënë Pirlo.

Derisa kishte zbuluar: “Më pëlqen të luaj me sistemin 4-3-3. Por natyrisht, nëse e shikoni që një lojtar s’mund të gjejë veten në atë sistem, ju duhet të adaptoheni dhe të përdorni tjetër sistem. Nëse fiksoheni shumë pas sistemit tuaj dhe lojtarët s’mund t’i përshtaten, thjesht jeni duke humbur kohë dhe s’mund të nxirrni më të mirën nga ekipi”.