‘Plehrë’, plas keq mes deputetit socialist dhe kryetares për Hapjen e Dosjeve

Deputeti i Partisë Socialiste është përfshirë në një debat me një tjetër institucion që merret me sistemin komunist.

Prej dy ditësh, ai u bë sërish mediatik pasi doli mesazhi që kishte dërguar në grupin e deputetëve të Komisionit të Ligjeve ku etiketonte Genta Sulën si “plehrë”. Kjo është hera e dytë që Braho sulmon kryetaren e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve, duke dëshmuar një mëri të vjetër.

Por Genta Sula, ndryshe nga hera e parë, nuk ka qëndruar e heshtur përpara sulmeve të Brahos. Konkretisht, akuza e Brahos u bë pas një ftese që Genta Sula i kishte dërguar Komisionit të Ligjeve për të marrë pjesë në ceremoninë që u organizua në Presidencë në nderim të familjeve Petrela dhe Topulli.

Ndaj kësaj ftese, Braho reagoi duke e cilësuar Genta Sulën si “plehrë”. Ditën e djeshme ku u zhvillua ceremonia, Genta Sula i ktheu “reston” Spartak Brahos. Ajo mbajti një fjalë përshëndetëse përpara pjesëtarëve të familjes Petrela dhe Topulli ku theksoi se “Ka ikur koha kur njerëzit trajtoheshin si plehra”. Në këtë mënyrë, ajo etiketoi Spartak Brahon pas akuzave të bëra nga ky i fundit.