fbpx

“Po na vdes në duar”. Bie nga gremina, shoku i efektivit të RENEA-s thirrje rrëqethëse

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Dukagjin, ku efektivi i forcave RENEA Bledar Beluli ka rënë në greminë nga një lartësi e konsiderueshme, dhe është e vështirë nxjerrja e tij për shkak të terrenit.

Burime bëjnë me dije se ai ka dëmtuar të dyja këmbët, dhe kanë qenë banorë të zonës ata që kanë arritur më parë pranë tij, dhe kanë ndezur dhe një zjarr, për shkak se në zonë temperaturat janë shumë të ulëta.

Ndërkohë një punonjës i Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura, Pëllumb Guri, i cili ndodhet pranë efektivit, ka bërë thirrje urgjente për mbërritjen sa më parë të helikopterit, pasi gjendja shëndetësore e efektivit është shumë e rëndë.

“Po na vdes në duar. Kemi marrë një barrel. Janë banorët e zonës, unë dhe ska asnjë person tjetër. Po presim helikopterin sa më shpejt. Ka rënë rreth 150 metra lartësi. Është hapësirë shumë e ngushtë dhe ne kemi zbritur me litar.”- u shpreh  Pëllumb Guri.

Forcat e policisë dhe RENEA janë nisur drejt vendit të ngjarjes, dhe pritet ndërhyrja nga ajri për shpëtimin e tij.

Beluli ka ngecur në malin e Zorgjit, e cila është një zonë shumë e rrezikshme dhe e thepisur. Sipas burimeve Beluli ka qenë si vizitor në këtë zonë, dhe jo me mision policor.

Pritet njoftimi zyrtar i policisë për rrethanat e mëtejshme të kësaj ngjarje, ndërsa prioritet mbetet nxjerrja e efektivit nga gremina.