fbpx

“Po zëvendëson shtetin ligjor me një regjim policor”/ PD i hakërrehet keq Ramës

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar në emër të Partisë Demokratike për ndryshimet  në ligjin e Policisë së Shtetit

Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se po zëvendëson shtetin ligjor me një regjim policor, në shkelje të Kushtetutës dhe në dhunim flagrant të të drejtave të njeriut.

Sipas Bardhit, ligji për përgjimin e qytetarëve nga Policia, pa autorizim të prokurorisë apo pa vendim të gjykatës, thellon sjelljen antidemokratike të Edi Ramës dhe minon seriozisht rrugën europiane të Shqipërisë.

Për Partinë Demokratike ligji është antikushtetues dhe i papranueshëm.

Edhe juristët paralajmërojnë se ndryshimet e bëra nga qeveria në kodin penal dhe në ligjin për policinë e shtetit mund të keqpërdoren për përgjimin e kundërshtarëve politikë.

Paketa ligjore e propozuar nga qeveria në kuadër të operacionit Anti-KÇK përcakton se policia do të marrë leje nga prokuroria vetëm në rastet e përgjimeve telefonike dhe në ambientet private, ndërsa në vendet publike përgjimet deri në 6 muaj bëhen me miratim dhe me urdhër nga drejtori i policisë.